Parlamenti shqiptar funksionalizon vettingun

Parlamenti shqiptar funksionalizon vettingun

Parlamenti votoi në bllok listën me 27 emrat e komisioneve ku përfshihen edhe anëtarët e Kolegjit të Apelimit me zëvendësuesit e tyre, të cilët u votuan në komisionin parlamentar pak ditë më parë.

Për të përfunduar procedurën e votimit në komision të ngritjes së organeve të vettingut, deputetët lanë fushatën elektorale, por tonet shumë të larta dhe kërcënuese, veçanërisht mes LSI-së dhe socialistëve, nuk u reflektuan tek deputetët e tyre.

Të vetmi që kundërshtuan këtë listë ishin dy deputetët e lënë jashtë liste nga Lulzim Basha; Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi. Ish kryetarja e Kuvendit e ndau listën me 27 emra në dy pjesë.

“Në këtë listë ka miq personalë të Kryeministrit, njerëz militantë, politikë dhe të paaftë. Pjesa tjetër e emrave janë të paktit Rama-Basha. Nëse ky është produkti i paktit tuaj, kjo është një këmbanë alarmi. Nuk më shkon mendja që të votoj në bllok njerëz që kanë mbyllur çështje personale gjyqësore me para. Po fortifikoni korrupsionin në sistemin e drejtësisë”, tha Topalli.

Replikën zonjës Topalli ja dha Kryeministri Rama.

“Jozefinë, unë i hodha një sy listës dhe nuk e kam parë ndonjëherë dhe nuk e kuptoj se ku i gjete gjithë këta miq dhe gjithë këta shokë të mi. Ti përmende Ina Ramën dhe Ina Rama nuk është mikja ime, pavarësisht se Ina Rama është shembull i shkeljes së të drejtave të njeriut. Njoh Albana Shtyllën dhe jam shumë krenar që ajo është këtu. Njoh edhe Sokol Çomon në distancë, të tjerët nuk i njoh. Më vjen keq që e mbylle me kaq nivel të ulët karrierën tënde parlamentare për këtë moment, se unë jam i bindur që do të rikthehesh një ditë këtu. Ky Vettingu është gjëja e duhur, por është kaq e vonuar dhe kaq e domosdoshme saqë ka mbështetjen e gjithë popullit shqiptar, majtas dhe djathtas. Nëse është vonuar deri këtu, jeni ju në radhë të parë përgjegjës”, deklaroi ai.

Ai që i dha fund “me forcë” replikës ishte kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

“Të lutem, po të vazhdojmë kështu ai tjetri mund të bëjë replikë një orë dhe unë nuk e ndaloj dot me Kushtetutë”, tha ai duke kaluar direkt në votim pa ja dhënë fjalën Astrit Patozit.

Në fund të votimit të fshehtë, lista me 27 emra kaloi me 100 vota pro, dy kundër, me gjasë vota e Patozit dhe Topallit dhe pesë abstenim.