
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, ka reaguar se është e panevojshme mbyllja, pas vendimit të së hënës nga Qeveria e Kosovës për masat e reja anti-COVID, me të cilat parashihet mbyllja e konvikteve dhe mensës së studentëve, njofton Insajderi.
“Parlamenti Studentor është kundër mbylljes së konvikteve, sepse ne konsiderojmë se qëndrimi i vetëm një studenti në dhomë nuk sjellë rrezikshmëri të madhe, ndërkaq studentët mund të ushqehen me opsionin MERR ME VETE (takeaway)”, thuhet në reagimin e Parlamentit Studentor.
Në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, mësimi në institucionet Universitare do të mbahet plotësisht në formë online që nga data gjashtë deri më 18 prill.
“Në vendimin për masat e reja kundër COVID-19, është vendosur gjithashtu që të pezullohen konviktet dhe mensa e studentëve, vendim për të cilin Parlamenti Studentor është kategorikisht kundër”, thuhet në reagimin e Parlamentit Studentor.
Tutje, thuhet se “Duke e pasur parasysh edhe përvojat jo të mira nga viti i kaluar, ne konsiderojmë që mbyllja e konvikteve nuk është e nevojshme”.
Gjithashtu është cekur se institucionet përgjegjëse nuk janë konsultuar me përfaqësuesit e studentëve dhe Qendrën e Studentëve, gjë që do të duhej bërë për të marrur vendime të tilla”, thuhet në reagim. /Insajderi.com