Partia Socialdemokrate e Kosovës, po synon që përmes një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës t’ia bëjë të qartë të gjithëve se presidenti Hashim Thaçi nuk është i mandatuar për të shkuar në dialog me Serbinë.
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka thënë për KosovaPress, se përmes kësaj seance po synojnë ta ndalojnë që kreu i shtetit të shkojë në dialog me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq, që është paralajmëruar me datën 18 korrik.
Ymeri shton se kjo seancë ka për qëllim edhe të diskutojë për platformën shtetërore për procesin e dialogut dhe udhëheqjen ta marrë Kuvendi dhe të arrihet një unitet mbarë shoqëror për këtë proces.
Numri dy i PSD-së vlerëson se Kuvendi i Kosovës duhet ta miratojë me dy të tretat e deputetëve platformën shtetërore sa i përket dialogut dhe vetëm pastaj të flet për përfaqësimin në këtë dialog, i cili po ashtu duhet të miratohet me dy të tretat e deputetëve. Sepse sipas tij, vetëm kjo siguron legjitimitet të këtij procesi.
Këtë nismë të PSD-së, Ymeri tha se po pret ta mbështesin edhe dy partitë tjera opozitare, LDK dhe Vetëvendosje.