
Tri partitë politike më të mëdha në vend, pas Lëvizjes Vetëvendosje, ende nuk kanë një përgjigje zyrtare për ftesën e kësaj të fundit, për të diskutuar rreth zhvillimeve politike në vend si dhe çështjen e presidentit.
Partia Demokratike e Kosovës pritet që përgjigjen zyrtare ta bëjë të ditur sot gjatë ditës.
Kështu ka thënë në një përgjigje për Insajderi-n zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyçi.
“Ende nuk kemi një përgjigje lidhur me këtë ftesë. Besoj që vendimi do të bëhet i ditur gjatë ditës”.
Ndryshe nga PDK-ja e cila po e shqyrton këtë ftesë, Lidhja Demorkatike e Kosovës ka dhënë shenja se nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.
Kandidati për kryetar të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, të enjten ka deklaruar se kryetari i ri i zgjedhur i këtij subjekti nuk do të mund të shkojë në këtë takim.
Abdixhiku në emisionin “Rubikon” ka thënë se e vlerëson ftesën, por se është e pamundur që menjëherë pasi mbahet Kuvendi Zgjedhor brenda këtij subjekti të shkohet në këtë takim, pasi sipas tij akoma kjo parti nuk i ka formuar të gjitha organet e saj.
“Nuk e kam parë letrën, nuk e di çfarë përmban letra, me aq sa kuptova takimi ishte më 15 mars, i bie që turr e vrap kryetari i ri LDK-së të shkojë në takim me Kurtin dhe Osmanin. Një gjë e tillë nuk do të ndodh, kryetari do të duhej të nesërmen të merr detyrën e vet, të fillojë konsultimet për formimin e organeve të LDK-së siç është kryesia”, ka pohuar ai.
Ndërkaq, kryetari në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se do të jenë të hapur për biseda dhe dialog në konstituimin e institucioneve.
Përkundër këtij vullneti, Mustafa është shprehur se nuk mund të flasë për gatishmërinë e kryetarit të ri, pas Kuvendit të së dielës, që menjëherë të hënën të takohet me Kurtin e Osmanin.
Përgjigje për ftesën e fituesve të zgjedhjeve, akoma nuk kanë dhënë, të paktën zyrtarisht, as nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kryesia e kësaj partie të premten në orën 13:00 do të mbajë mbledhje, ku pritet edhe prononcimi rreth kësaj çështje i zyrtarëve të saj.
Këtë e ka konfirmuar për Insajderi-n, kandidati për deputet i AAK-së, Bekë Berisha.
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe e propozuara për presidente nga lista e VV-së, Vjosa Osmani, të enjten u kanë bërë ftesë ushtruesit të detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, kryetarit të LDK-së, i cili do të zgjidhet më 14 mars si dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për takime konsultative pas certifikimit të procesit zgjedhor.
Takimet pritet të zhvillohen të hënën e 15 marsit./Insajderi.com