Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) bën të ditur se gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore, e cila mbaroi më 12 shkurt, kanë vërejtur se partitë politike kanë bërë shkelje sa i përket masave kundër Coronavirusit, transmeton Insajderi.
Në një konferencë për media të mbajtur të shtunën, Veton Mujaj nga DnV, tha se gjatë fushatës ka qenë një atmosferë përgjithësisht e qetë, me shumë aktivitete të mbajtura nga subjektet politike, që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
“Në shumicën e këtyre aktiviteteve që kanë realizuar subjektet politike, mosrespektimi i masave për COVID-19 ka qenë shumë evident. Këto aktivitete janë shoqëruar me grumbullime të mëdha të qytetarëve në tubimet publike, duke mos respektuar rregullat për distancë sociale dhe mbajtjen e maskave në mënyrë të duhur”, tha Mujaj.
“Po ashtu, elemente të gjuhës së urrejtjes në baza politike nuk kanë munguar në aktivitete zgjedhore”, shtoi ai.
Ai po ashtu ka theksuar se gjatë fushatës 10-ditore, gratë nuk kanë pasur përfaqësimin e duhur, përkatësisht nuk është respektuar kuota prej 30 për qind, as në paraqitjet e tyre në tubime me qytetarë dhe as në media.
Ky koalicion i organizatave tha se më 14 shkurt, në ditën e zgjedhjeve, në mënyrë periodike do të njoftojë për parregullsitë eventuale, por edhe për numërimin e votave. /Insajderi.com