Pas 18 vjetëve, besimtarët myslimanë të Mitrovicës e falën namazin e Bajramit tek vendi ku dikur ishte Xhamia e Ibrit në pjesën veriore të qytetit.
Nën masa të shtuara të policisë xhemati kreu ritet fetare pa ndonjë problem. Qindra qytetarë kanë falur namazin e Fitër Bajramit për herë të parë 18 vjet pas luftës, në vendin ku ka qenë xhamia e Ibrit në veri të Mitrovicës.
Qytetarët u shprehën të lumtur që pas 2 dekadash u dëgjua ezani në këtë vend.
“Vërtetë jemi të kënaqur që për herë të parë falum Bajramin në Pjesën Veriore të Mitrovicës dhe mendoj dhe ashtu dëshirojmë që Bajramin tjetër ta falim në Xhaminë e re”, tha një qytetar për Klan Kosovën.
Ndërkohë mendohet se edhe më tutje besimtarët të mund t’i kryejnë ritet fetare në këtë vend.
“Mendojmë që edhe ditëve të xhumasë të falet xhumaja në këtë vend”, tha hoxha Izet Feka.
Kryetari i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Burim Veliu, ka uruar që shqiptarët e veriut, por edhe të tjerët, në të ardhmen të falen në këtë vend ku ka qenë xhamia e Ibrit në veri, dhe jo nëpër xhamitë e ndryshme në jug të qytetit.
Ceremonia e faljes së namazit është zhvilluar nën masa të shtuara të sigurisë dhe nuk është shënuar ndonjë incident.