Pas Ambasadës së Amerikës edhe BE largohet nga monitorimi i konkursit për kryeprokurorët

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësja për Komunikim në Zyrën e BE-së, Dinka Zivalj, e cila thotë se edhe BE ka dilemat e saj rreth këtij procesi dhe për këtë arsye do të tërhiqen deri në rishikim të tërësishëm të tij.

Pas Ambasadës së Amerikës edhe BE largohet nga monitorimi i konkursit për kryeprokurorët

Edhe Bashkimi Evropian është tërhequr nga procesi i mbikëqyrjes së zgjedhjes së anëtarëve të rinj në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe zgjedhjes së kryeprokurorëve, njofton Insajderi.

Kjo tërheqje e BE-së nga ky proces erdhi vetëm një ditë pasi një veprim i tillë është ndërmarrë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësja për Komunikim në Zyrën e BE-së, Dinka Zivalj, e cila thotë se edhe BE ka dilemat e saj rreth këtij procesi dhe për këtë arsye do të tërhiqen deri në rishikim të tërësishëm të tij.

“I kemi marrë parasysh shqetësimet e shprehura nga SHBA-ja. Edhe BE-ja gjithashtu i ka dilemat e veta dhe ka vendosur që po ashtu të tërhiqet nga procesi, dhe të mos monitorojë, përveç nëse i gjithë procesi rishikohet dhe kryhet në përputhje me ligjet dhe rregulloret përkatëse”, ka thënë Zivalj.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, Ambasada Amerikane ka njoftuar se është larguar nga procesi i mbikëqyrjes së zgjedhjes së anëtarëve të rinj në KPK si dhe zgjedhjes së kryeprokurorëve.

Me anë të një letre të hapur, kjo ambasadë ka reaguar ashpër lidhur me mospërfshirjen e tyre të mëtejme, për çka thotë se distancohen nga ky proces, pasi prokurorët janë zgjedhur për shkak të lidhje të tyre politike e jo meritave.

“Për vite me radhë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka luajtur një rol mentorues dhe monitorues në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe kryeprokurorëve. Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese janë shkatërruar tani rrënjësisht. U mungon transparenca dhe janë subjekt i rritjes së konfliktit të interesit. Meqë përfshirja e mëtejme e ambasadës mund të keqinterpretohet si  miratim i këtij sistemi të shkatërruar, ne më nuk do të marrim pjesë. Prokurorët duhet të përzgjedhin bazuar në kualifikimet e tyre e jo lidhjet dhe afërsitë politike”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Ata kanë kërkuar gjithashtu që të përkrahet ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, në përpjekën e tij për të bërë rishikimin e funksionalitetit.

“Ndryshimet e kornizës ligjore në të cilat bazohet sistemi prokuroria nevojiten për të rikthyer transparencën dhe drejtësinë në këtë sistem. Prandaj, thërrasim të gjitha partitë ta përkrahin përpjekjen e Ministrit të Drejtësisë për të kompletuar rishikimin e funksionalitetit sa më parë”.

Për njohësit e çështjeve juridike, tërheqja e Ambasadës së SHBA-së nga ky proces është një mjerim për sistemin e drejtësisë.

Kështu është shprehur në një intervistë televizive, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, i cili thotë se tërheqja e kësaj ambasadeia dha vulën se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) edhe në vitin 2020 është me politika te vjetra dhe me procese se dihet kush do të jetë anëtarë i ri KPK-së”.

Ai tutje u shpreh se ky veprim tregon atë që shumë organizata joqeveritare e kanë thënë, se sistemi i drejtësisë në vend ka rrëshqitur në një shtet të kapur.

“Ky veprim i Ambasadës i ka dhënë pikën asaj që ne si Institut i Kosovës për Drejtësi, por edhe shumë organizata joqeveritare kemi thënë se sistemi i drejtësisë në vend ka rrëshqitur në një shtet të kapur, ku institucionet të cilat do të duhej të garantonin të drejtat dhe liritë e qytetarëve kthehen në shkelësit më të mëdhenj të tyre”, tha tutje Miftaraj. /Insajderi.com