fbpx

Pas ankesave për Ushtrinë, Haradinaj diskuton në telefon me sekretarin e NATO-s

Pas ankesave për Ushtrinë, Haradinaj diskuton në telefon me sekretarin e NATO-s

Një bisedë telefonike e ka bërë sot gjatë ditës kryeministr Ramush Hardinaj, me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ky i fundit dje gjatë ditës tha se nëse Kosova e formon Ushtrinë, do të ketë pasoja të mëdha.

E Haradinaj në facebook ka shkruar se sekretarin e NATO-s e ka njoftuar për hapat e mëtutjeshëm në lidhje me transformimin e FSK-së, transmeton Insajderi.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se formimi i Ushtrisë, është vendim sovran i Kosovës.

“Sot zhvillova një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s z. Jens Stoltenberg. Shpreha falënderimin tim dhe të popullit të Kosovës për misionin e KFOR-it në Kosovë dhe kontributin e NATO-s për një ambient të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Gjithashtu shpreha respektin dhe ndjenjën e thellë për shumë ushtarë të NATO-s që kanë humbur jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë”, ka shkruar fillimisht Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se FSK do të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Duke shprehur mirëkuptim për qëndrimin e tij nga perspektiva multilaterale për procesin e tranzicionit, njëkohësisht e informova Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se Kosova është e përkushtuar për një proces të tranzicionit të FSK-së që do të sigurojë një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore. FSK do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjërë. Institucionet e Kosovës do të sigurohen të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me KFOR dhe NALT, pasi që ndajmë të njëjtat shqetësime të sigurisë, interesat dhe vlerat”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe votimi për Ushtrinë do të bëhet më 14 dhjetor. /Insajderi.com