Pas arrestimit të zyrtarit të ATK-së në Serbi, Pacolli i shkruan Mogherinit

Pas arrestimit të zyrtarit të ATK-së në Serbi, Pacolli i shkruan Mogherinit

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka njoftuar sot se i ka shkruar letër Përfqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit pas arrestimit të zyrtarit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), në Serbi.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli ka thënë se për të disatën herë i ka shkruar Mogherinit ku ka shprehur shqetësimin për arrestimet dhe kërcënimet e vazhdueshme të qytetatëve te Kosovë nga autoritetet serbe.

“Unë i kam shkruar sot, për të disatën herë, Federica Mogherinit Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme për të shprehur shqetësimin e thellë të Republikës së Kosovës për arrestimin dhe kërcënimin e vazhdueshëm të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe në kundërshtim me marrëveshjen e lëvizjes së lirë dhe të drejtat e tyre themelore”, ka shkruar Pacolli.

Pacolli ka thënë se i bënë thirrje BE-së që të marr veprime ndaj Beogradit, ndryshe Kosova është e gatshme të marrë masa për të reaguar.

“Unë i bëj thirrje BE-së që të ndërhyjë dhe të ndalojë këto veprime nga Beogradi. Kosova është e gatshme të marrë masa për të reaguar dhe për të mbrojtur qytetarët e saj të të gjitha përkatësive etnike dhe fetare”, ka përfunduar Pacolli.

Gjatë ditës së djeshme Pacolli ka njoftuar se, Marjan Gjoka punonjës në ATK është arrestuar nga autoritetet serbe, ku përmes një njoftimi ai ka kërkaur lirimin e menjëhershëm të tij. /Insajderi.com