Pas bojkotit, serbët vazhdojnë punën normalisht në Gjykatën Themelore të Mitrovicës

Pas bojkotit, serbët vazhdojnë punën normalisht në Gjykatën Themelore të Mitrovicës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se gjyqtarët dhe punonjësit nga komuniteti serb janë duke vazhduar punën normalisht në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, njofton Insajderi.com.

Përmes njoftimit, KGjK ka bërë thirrje të gjithë gjyqtarëve dhe punonjësve të sistemit gjyqësor që të angazhohen në kryerjen e detyrave të punës, të përcaktuara me Kushtetutë.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) është informuar se gjyqtarët dhe punonjësit mbështetës nga komuniteti Serb janë duke vazhduar punën normalisht në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Këshilli u bën thirrje të gjithë gjyqtarëve dhe punonjësve mbështetës të sistemit gjyqësor që të angazhohen për kryerjen e detyrave të punës, të përcaktuara me Kushtetutë, Ligj dhe akte përkatëse nënligjore”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.

Ndryshe, gjatë të mërkurës, gjyqtarët e këtij komuniteti kishin bojkotuar punën në shenjë revolte për një vendim që e mori Gjykata e Apelit ndaj ish-deputetit të Listës Serbe, Ivan Todosijeviq.

Ai u dënua me dy vjet burgim për shkak të akuzave për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimin kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Në kohën sa ishte ministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Todosijeviç e kishte quajtuar si një “trillim”, Masakrën e Reçakut. /Insajderi.com