Qeveria ndan 12 mijë euro për t’i ndërtuar shtatore senatorit Dole

Qeveria ndan 12 mijë euro për t’i ndërtuar shtatore senatorit Dole

Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 12 mijë euro për ngritjen e një busti të senatorit amerikan, Bob Dole, në Prishtinë.

Në mbledhjen e së martës, Qeveria vendosi t’i ndajë 12,725.12 euro për shtatoren e Dole, ish-senatorit rebulikan që mbështeti kauzën e shqiptarëve të Kosovës për liri gjatë viteve 90′.

“Me plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë për ngritjen e bustit të senatorit Robert Dol, janë ndarë mjete financiare në vlerë 12, 725.12 euro”, thuhet në vendimin e qeverisë.

“Mjetet do të përdoren për ngritjen e bustit të Senatorit Robert Dole, në rrugën Robert Dole në Prishtinë, si shenjë respekti ndaj kontributit të Senatorit dhe raportit të fuqishëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Robert Joseph “Bob” Dole, i lindur më 22 korrik 1923 në Russell, Russell County, Kanzas- është një politikan amerikan, senator dhe ish-kandidat presidencial.

Ai përfaqësoi Kansasin në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së nga 1961-1969 dhe në Senatin e SHBA-së nga 1969 deri në 1996 shërbeu si udhëheqës republikan nga viti 1985 deri më 1996.

Ishte kandidat republikan për president në zgjedhjet e vitit 1996 dhe i nominuar si zëvendëspresidentit në zgjedhjet presidenciale të vitit 1976.