Pas dhjetë vitesh Pollogu me ajër të pastër

Pas dhjetë vitesh Pollogu me ajër të pastër

Banorët e rajonit të Pollogut ndër vite janë përballur me problemin e ndotjes. Këta banorë pothuajse ishin mësuar me ajër të ndotur i cili në një periudhë tejkalonte dhjetë herë kufirin e lejuar, njofton Insajderi

Por pas mbylljes së shumë kapaciteteve prodhuese të mëdha siç ishte kombinati Jugohrom, ndërsa në këtë periudhë nuk funksionojnë shumë kapacitete prodhuese të cilët numërohen ndër ndotësit kryesor për shkak se shfrytëzojnë naftë për djegie.

Gjithashtu pas vendimit të qeverisë për të kufizuar lëvizjet e qytetarëve me automjete, kjo ka ndikuar dukshëm në uljen  e ndotjes jo vetëm në rajonin e Pollogut, por edhe në tërë vendin. Banorët e Tetovës në këtë periudhë janë duke thithur ajrin më të pastër në dhjetë vitet e fundit, pohojnë mjekët në qendrën për shëndet publik.

“Në tërë këtë situatë, pastrimi i ajrit është i mirëseardhur për qytetarët, ngase grimcat 2.5 dhe Pm10 janë grimca që qëndrojnë dhe lëvizin në ajër dhe ata mund ta përcjellin edhe virusin dhe të përhapet më shumë. Prandaj në tërë këtë situatë të rëndë ajri i pastër është një efekt pozitiv”, thotë mjeku Ratko Davidovski.

Sipas tij, pasi që në këtë periudhë këta masa kanë dhënë efekte atëherë duhet që pas tejkalimit të kësaj situate të sillen disa  masa edhe në gjendje normale. ”Me këtë shembull që është ndjekur tash duhet që në të ardhmen të ketë masa restriktive në shumë drejtime, sepse nëse pas kësaj gjendje nuk vendosen rregulla dhe masa gjendja me ajrin e ndotur do të na rikthehet sërish si  vitet e kaluara”, pohon Davidovski.

Njohës të këtyre rrethanave si një nga ndotësit më të madh të ajrit kanë theksuar numrin e madh të automjeteve, komunikacionin e dendur në qytetin e Tetovës, mungesa e hapësirave të gjelbra, deponitë e egra të krijuara në shumë vende periferike, djegia e lëndëve të dëmshme gjatë sezonit të ngrohjes.

Në një periudhë kur ajri është i pastër, kërkohet që në të ardhmen më shumë të merren masa restriktive që të mos kthehet gjendja kur Tetova ishte ndër qytetet më të ndotura në botë. Zgjidhja sipas mjekëve por edhe sipas ekspertëve është gazifikimi i rajonit të Tetovës.

“Vendosja e sistemit të gazifikimit në Tetovë do të ishte një nga zgjidhjet më të mira për të ulur nivelin e ndotjes. Masa të tjera që kanë të bëjnë me lëvizjen e automjeteve, kontrolle të shpeshta në objektet e industrive të ndryshme. Kjo duhet,  sepse shpesh herë në opinion shtrohet çështja se Jugohromi në të kaluarën e hershme ka punuar por nuk ka pasur ndotje. Ne harrojmë se komunikacioni nuk ka qenë në këtë nivel, ka pasur shumë gjelbërime dhe më pak industri të mesme dhe të vogla, kurse sot pamja është ndryshe”, thotë mjeku Davidovski.

Ai shprehet se institucionet, inspektorët duhet të jenë në teren dhe të konstatojnë se nga vjen ndotja, ndërkaq, një nga kërkesat kryesore e banorëve të Tetovës por edhe të organizatave joqeveritare është që të vendoset transporti publik me çka do të lehtësohej edhe qarkullimi në komunikacion por edhe në të njëjtën kohë do të kishte më pak ndotje të ajrit nga automjetet e shumta që qarkullojnë në Tetovë, kryesisht në një komunikacion të dendur./Insajderi.com