Pas dorëheqjes së Haradinaj, mblidhet Nisma thotë se është e gatshme për zgjedhje

Pas dorëheqjes së Haradinaj, mblidhet Nisma thotë se është e gatshme për zgjedhje

Endrit Shala nga Nisma Socialdemokrate ka njoftuar se partia e tij sot ka mbajtur mbledhje me anëtarët e kryesisë dhe kryetarët e degëve, pas dorëheqjes së kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Shala ka shkruar se pas kësaj situate të krijuar, vendi shumë shpejt do të hyjë në zgjedhje dhe sipas tij Nisma është e gatshme për këto zgjedhje.

“Në këtë takim është diskutuar për situatën e krijuar në vend pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Nisma Socialdemokrate vlerëson se pas situatës së krijuar vendi është në prag të zgjedhjeve të parakohshme, prandaj Nisma është e gatshme të hyjë në këto zgjedhje”, ka shkruar Shala.

Ndër tjera Shala ka thënë se me anëtarët e partisë është diskutuar edhe për ftesën që i është bërë Jakup Krasniqit nga Gjykata Speicale. Ai ka thënë se Krasniqi do të dijë ta mbrojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Sa i përket ftesës nga Gjykata Speciale për kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, z.Jakup Krasniqi, kryetari Limaj ka thënë se ashtu siç ka ditur disa herë ta mbrojë pastërtinë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë radhë z. Jakup Krasniqi do të dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së. Kryetari Limaj ka shprehur bindjen e plotë se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe se drejtësia do të ngadhënjejë përballë shpifjeve”, ka përfunduar Shala. /Insajderi.com