“Kosova, e cila ende nuk është shtet, ka filluar shkeljen e ligjit ndërkombëtar në dëm të popujve tanë, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Lindjen e Mesme dhe kjo nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”.
Kështu ka thënë në një intervistë për Kosova Online, Ambasadori Palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan, lidhur me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, transmeton Insajderi.
Sipas tij, Kosova ka vepruar edhe kundër pozicionit që e ka Bashkimi Evropian sa i përket Jerusalemit.
“Është një sulm ndaj të drejtave tona dhe njerëzve tanë. Kosova kështu po i shkel të drejtat e popullit palestinez për shtetin dhe kryeqytetin e saj. Prishtina po shkel po ashtu të drejtën ndërkombëtare, sepse Jerusalemi është okupuar nga Izraeli që nga viti 1967, dhe që një vend të bëhet anëtar i organizatave ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara, duhet t’i përmbahet të drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Nebahan.
Ai ka shtuar se është në konsultim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Palestinës dhe ka paralajmëruar se tash e tutje do të ndërmarrin hapa në dëm të Kosovës.
“Do të ndërmarrim hapa që nuk do t’i pëlqejnë Kosovës në nivelin e Ligës Arabe dhe Bashkëpunimit Islamik. Kosova nuk është anëtare e asnjërës prej këtyre organizatave, por shumë prej tyre e kanë pranuar të ashtuquajturën Kosovë, dhe do të kërkojmë nga ato vende që tash ta shqyrtojnë vendimin e tyre për ta pranuar Kosovën”./Insajderi.com