Hajredin Kuçi, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, duket se ka hyrë në garë me nënkryetarin e ri të kësaj partie, Rexhep Hoti, për nga thurja e lavdeve për liderin e partisë.
Kuçi ka thënë se Veseli në kohën e luftës ka ecur një hap me heroin e Kosovës, Adem Jasharin, ndërsa tani kur Kosova po ka nevojë për integrim, ai është një hap me integrimet Evropiane.
“Kadri Veseli ka ecur në një hap me Adem Jasharin, tash po ecë në hap me integrimet europiane”, pohoi Kuçi, duke shtuar se në listën e koalicionit PDK-AAK-Nisma ka njerëz që kanë kontribuar në kohëra të ndryshme.
“Gjatë vjetëve të kaluara e kemi drejtuar arkitekturën e republikës tonë. Kemi ndërtuar infrastrukturë të mirë ligjore, kuadro të mira, tani ka ardhur koha që ta bëjmë një zhvillim të ri, një angazhim të ri”, ka thënë Kuçi.
Tutje ai për këtë fillim të ri bartës ka cilësuar Kadri Veselin dhe ekipin e tij, ndërsa të tjerët do të jenë implementues.
“Ky është koalicioni që bashkon Kosovën, koalicioni që integron Kosovën. Do të bëjmë dialogë për ta ndaluar konfliktin dhe nënshkruar traktatin e paqes. Bartës të fillimit të ri janë Kadri Veseli me ekipin e tij, ndërsa të tjerët, bashkë me Aleancën do të jenë implementues”, ka thënë Veseli.
Lavde të tilla ndaj Veselit por edhe Thaçit, të cilat ia kishin siguruar postin e nënkryetarit të PDK-së, ka thurur edhe zv. ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Rexhep Hoti.
Me një gjuhë të ngjashme, ai për Veselin kishte folur edhe në debatet e mbajtura gati në të gjitha televizionet për zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Ai e kishte cilësuar Veselin si një figurë të rëndësishme i cili sakrifikohet për të mirën e vendit. Duke folur kështu më shumë për liderët, pak për partinë dhe aspak për vetën. /Insajderi.com