Pas hulumtimit të Shqip.com në kuadër të emisionit N’Shënjestër, autoritetet shtetërore kanë mbyllur hyrje-daljet e përdorura nga pronari i ‘ERC Trade’, Arben Arifi, të cilat çonin drejt objektit të kompanisë së tij nga autostrada e tipit të mbyllur.
Hyrje-daljet, siç kanë njoftuar nga Ministria e Infrastrukturës, në një përgjigje për Shqip.com, janë ndaluar në kohën kur ekipi i “Shënjestrës” kishte filluar hulumtimin dhe kishte dërguar pyetje në këtë ministri për qasjet ilegale në autostradë.
“Nuk e dimë saktë, ka diku rreth një muaj që kur ne e kemi mbyllë atë rrugë. i kemi pasur dy raste, një e kemi pasur te dalja e autostradës te Albi Mall dhe në të njëjtën kohë, kur i kemi mbyllë, i kemi mbyllë të dyja”, thonë nga MMPHI-ja.
Gjatë xhirimeve të zhvilluara nga Shqip.com, më datën 26 gusht të këtij viti, shihet vetura e kompanisë teksa eviton autostradën përmes daljes ilegale, e cila vazhdoi të jetë e hapur sikurse kyçja që gjendej disa metra më lart.
Një keqpërdorim tjetër që ky hulumtim nxjerr në pah është edhe ndërhyrja në murin e autostradës që ka bërë vëllai i ish-ambasadorit të Kosovës dhe njërit nga këshilltarët kryesor të Ramush Haradinajt, Avni Arifit, dhe vendosja e panove reklamuese.
Ndaj tij ishte iniciuar kallëzim penal për ndërhyrjen në rrethojën e autostradës nga Njësia e Hetimeve të Policisë së Kosovës, por ishte hedhur poshtë nga prokurorja e shtetit – Jehona Grantolli.
Arsyetimi ishte se “në veprimet e të pandehurit nuk përmbushen elementet e veprës penale”.
Arifi edhe në deklarimin e dhënë në prokurori, pranon se ka ndërhyrë në brezin e autostradës, por arsyetohej se nuk e kishte ditur se duhej të bëhej kërkesë në Ministri të Infrastrukturës, por edhe më pas kishte vazhduar aktivitetin ilegal.
Atë nuk e pengoi askush për ndërhyrjet e tij, derisa Shqip nisi investigimin në këtë çështje.
Zyrtari i Ministrisë i deklaruar për redaksinë, tha se i njëjti “nuk ka leje për vendosje të reklamave në brez të autostradës, por ishte një kompani e cila e kishte të drejtën e vendosjes së tyre”, e të cilën e shfrytëzon edhe Arifi dhe shumë afaristë të tjerë duke bërë marrëveshje me këtë kompani.
Por, i njëjti nuk tregoi se cili është emri i kompanisë, që çuditërisht ka marrë leje për vendosjen e reklamave në një vend që është e ndaluar me ligj.
Për heqjen e panove reklamuese të bizneseve janë deklaruar edhe nga Departamenti i Inspektoratit.
Nga aty thonë se departamenti kishte filluar të ekzekutojë vendimin e marrë nga ministri i atëhershëm i Infrastrukturës, Arban Abrashi, duke i larguar këto reklama, përfshirë edhe ato të kompanisë ‘ERC Trade’, por një tjetër vendim i marrë në shkurt të këtij viti nga Gjykata Themelore, e ndaloi punën e tyre.
“Pas Vendimit të Ministrit të Infrastrukturës z. Arban Abrashi me nr. prot. 9649 për heqjen e panove reklamuese të bizneseve të vendosura në mbikalime, ura dhe tunele në Auto udhët dhe rrugët Nacionale dhe Rajonale në të gjitha Regjionet e Kosovës, Departamenti i Inspektimit ka filluar të ekzekutojë Vendimin, duke bërë largimin e reklamave duke përfshirë edhe ato për të cilat ju jeni interesuar”.
Por, heqja e reklamave ishte stopuar meqë me datën 08.02.2021 kishte ardhur një Aktvendim “nr. A.nr.21/2021” nga Gjykata Themelore në Prishtinë, i cili urdhëronte shtyrjen e ekzekutimit të vendimit në fjalë”.
Prandaj, Inspektorati ishte dashur të pauzonte, derisa Gjykata të vendos me Vendim përfundimtar gjyqësor rreth kësaj çështje.
Ky është hulumtimi i plotë i realizuar nga Shqip.com: