Në fillim të muajit qershor Avni Arifi, këshilltar i kryeministrit Haradinaj, kishte renditur një listë punësh që sipas tij do të kryheshin brenda vitit.
Në mesin e tyre ishte aëntarësimi në INTERPOL, heqja e vizave, korrigjimi i kufirit me Malin e Zi dhe krijimi i Ushtrisë.
Përderisa kjo e fundit mund të realizohet, të tjera nuk duken as afër, shkruan Gazeta Insajderi.
“Sivjet: Qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në BE. Sivjet: Kosova do të krijojë forcën e vet të armatosur. Sivjet: Kosova do të jetë anëtari më i ri i Interpolit. Sivjet: Do të korrigjohet kufiri me Malin e Zi”, kishte shkruar Arifi në facebook.
Lëvizja pa viza brenda këtij viti tashmë është e pamundur. Këtë e tha edhe komisioneri për Zgjerim, Johanes Hahn.
Ai tha se kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm tek në vitin 2020.
“Tash çështja ndodhet në Këshillin Evropian, i cili merr më së shumti kohë për ta kaluar këtë hap të procesit dhe kam besim dhe se viti 2020 është më realisti, por mos u bëni peng i numrave”, deklaroi Hahn gjatë ditë së djeshme.
Arifi dështoi edhe me premtimin për INTERPOL. Kosova dështoi të bëhet pjesë e kësaj organizate, duke pësuar një debakël në Dubai.
Në dy raunde radhazi, Kosova nuk ishte as afër të siguronte numrin e mjaftueshëm të votave.
Edhe korrigjimi i kufirit me Malin e Zi duket larg që të bëhet në këtë vit.
Asnjë lëvizje nuk është bërë deri më tani as nga Kosova por as nga Mali i Zi për ta korrigjuar kufirin, për demarkimin e të cilit Kuvendi vendosi pas shumë problemeve.
Nga katër premtimet e Arifit, vetëm një ka gjasa reale që të realizohet në këtë vit. Ai për krijimin e Ushtrisë.
Kryesia e Kuvendit dje vendosi që më 14 dhjetor të shkojnë në Kuvend projektligjet për transformimin e FSK-së.
Pasi u miratuan në lexim të parë, më 14 dhjetor pritet që pas 10 vitesh shtet, të formohet Ushtria e Kosovës. /Insajderi.com