Dëshirë për qeverisje, apo konstruktivitet opozitar

Pas mbështetjes së PDK-së ndaj qeverisë Hoti, a pritet bashkim forcash?

Pas mbështetjes së PDK-së ndaj qeverisë Hoti, a pritet bashkim forcash?

Vendimi i Partisë Demokratike të Kosovës se do ta votojë rishikimin e buxhetit dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës e vuri në pah mbështetjen e PDK-së karshi qeverisë Hoti.

Sipas anëtarëve të PDK-së, kjo mbështetje nënkupton vetëm vetëdije politike të PDK-së dhe se votat po jepen për shkak të qytetarëve dhe mundësimit të kalimit nga kjo situatë e jo për shkak të ndonjë bashkimi në qeveri në të ardhmen e afërt, njofton Insajderi.

Por, nga disa kjo mbështetja nga opozita e PDK-së është parë si afrim i kësaj partie drejt koalicionit qeverisës dhe mbase edhe bashkim në Qeveri.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje e ka akuzuar PDK-në se është treguar hipokrite. Duke kritikuar qeverinë, por më pas duke ia votuar ato që i sjellë në Parlament.

Qeveria e kryeministrit, Avdullah Hoti, është një qeveri që e ka gjetur vetën në vështirësi kur ka ardhur puna tek votimi i projektligjeve që i sjellë në Kuvend, për shkak të numrave të pakët.

Por, as nga qeveria e as nga PDK nuk është thënë se ka biseda për bashkim të mundshëm, madje nga PDK kjo është refuzuar kategorikisht.

Megjithatë, është pranuar edhe nga vetë kryeministri, Avdullah Hoti, se një dorëheqje e mundshme e presidentit, Hashim Thaçi, për shkak të thirrjes nga Gjykata Speciale, e detyron një ristrukturim të qeverisë, por ajo mund të ndodhë “kur t’i vije koha” – nëse i vjen./Insajderi.com