Pjesëtarët e Policisë së Kosovë të cilët kanë qenë në pushime të ndryshme, që nga sot janë detyruar ta ndërprenë dhe të dalin në punë. Përveç kësaj, derisa ata punonin nga tetë orë, nga sot do të punojnë nga 12 orë.
Këtë e konfirmoi toger Bajram Krasniqi nga Zyra për informim e Policisë së Kosovës, por ai tha se kjo masë nuk është asgjë e pazakontë, pasi që ka ndodh edhe më herët, duke mos dhënë detaje tjera nëse ka të bëjë me ndonjë ngjarje specifike.
I njëjti mobilizim ka ndodhur edhe në QKUK, edhe pse Curr Gjocaj, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, njëjtë sikur toger Bajram Krasniqi, thotë se “kjo masë nuk është asgjë e pazakontë”.
Në një prononcim për Insajderin, Gjocaj tha se ky mobilizim vlen për festat dhe fundjavën.
“QKUK dhe çdo Institucion Shëndetësor Publik Spitalor në varësi të SHSKUK-së, kemi obligim mbulimin e Shërbimeve Emergjente dhe urgjente 24 orë pa ndërprerje. Nuk ka diçka të pazakontë pos që kemi kërkuar që Shërbimet e kujdestarive të mbulohen sa më mirë, dhe kemi ushtruar mbikëqyrje të vazhdueshme gjatë këtyre ditëve në mënyrë që shërbimi shëndetësor dhe trajtimet e pacientëve të shtruar të jenë sa më ë mira për qytetarë dhe sidomos në ditët e vikendit dhe ato festive”, ka thënë Gjocaj për Insajderin.
Ai nuk ka dashur të komentojë më shumë duke thënë se nuk ka asnjë lajmërim për ndonjë rrezik në masë.
“Pra, asgjë konkret përpos shtimit të kontrolleve të brendshme shumë më dinamike dhe serioze (disiplina dhe korrektësia në Pune gjatë kujdestarive)”, ka thënë Gjocaj për Insajderin.
Në ndërkohë, sot gjatë ditës, është takuar Këshilli i Sigurisë, për të cilën u tha se ka qenë një mbledhje e zakonshme.
Disa orë pasi në objektin e Qeverisë së Kosovës të mblidhej Këshilli i Sigurisë, ku u tha se ishte një mbledhje e zakonshme, Ambasada Amerikanë lëshoi një lajmërim për rrezik.
“Terroristët në rajon më parë kanë pasur caqe objektet e ndjeshme, përfshirë kishat dhe objektet e kulteve tjera, qendrat e këmbësorëve, arenat sportive, sallat e koncerteve dhe tubimet publike. Rishikoni planet tuaja të sigurisë: rrini të vetëdijshëm për vendndodhjen tuaj, përfshirë edhe ngjarjet lokale dhe shikoni televizionet për përditësim të lajmeve”, sugjeroi ambasada amerikane u jep qytetarëve të vet në Kosovë./Insajderi.com
Ambasada Amerikane alarmoi për sulm terrorist, por Qeveria heshti