Pas publikimit të bisedës me komedianët rus, Zoran Zaev do të takohet me ambasadorin rus në Shkup

Pas publikimit të bisedës me komedianët rus, Zoran Zaev do të takohet me ambasadorin rus në Shkup

Pas daljes së përgjimit, ku kryeministri i Maqedonisë Veriore Zoran Zaev flet me komedianët rus duke menduar që po flet me presidentin ukrainas Petro Poroshenko, mësohet jo zyrtarisht se të enjten ai do ta pres në takim ambasadorin rus Sergej Bazdnikin.

Përfaqësia diplomatike e federatës ruse ditë më parë u prononcua për skandalin e kryeministrit, nga ku theksuan se nuk duan të komentojnë vepra të artistëve.

Ministria e Jashtme thotë se nuk ka bazë për të thirrur në bisedë ambasadorin rus në vend, për faktin që nuk posedon informacione për të ashtuquajturit “Vovan dhe Leksus” se kanë lidhje me institucionet e Federatës Ruse.

Ndërkohë Prokuroria Publike është duke punuar për të konstatuar nëse në bisedën e Zaev me Poroshenkon e rrejshëm ka bazë për padi penale ndaj shtetasve rus.

Të hënën mbrëma, dy parodistët rus “Vovan dhe Leksus” publikuan telefonatat me kryeministrin Zaev, ku ky i fundit ka menduar se është duke biseduar me presidentin ukrainas Poroshenko dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jons Stoltenberg.

Zaev pranoi se është viktimë e shtetasve rus, duke shtuar se ky lëshim është për shkak të sinqeritet dhe afërsisë së tij që ka me njerëzit në komunikim./AlsatM/