Pas raportimit të Insajderit, portali ‘InfoPress’ largon artikullin fyes dhe kërkon falje

Pas raportimit të Insajderit, portali ‘InfoPress’ largon artikullin fyes dhe kërkon falje

Portali ‘Gazeta InfoPress’ i ka kërkuar falje publike deputetit të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, për fyerjet ndaj tij dhe gruas së tij, përmes një artikulli të publikuar në portal.

Mediumi në fjalë, pas raportimeve të Insajderit ka fshirë artikullin me titull ‘Publicisti Mulaj, platformë për shuarjen e Lëvizjes Vetëvendosje’, dhe i ka kërkuar falje edhe Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit politik të cilit i takon Kurtit.

‘Gazeta InfoPress’ pretendon se shkrimi i publikuar nuk është qëndrim i portalit, por qëndrim i autorit të atij opinioni, Isa Mulaj.

plat

“Duhet të cekim se ky shkrim është opinion i autorit në fjalë dhe përmbatja e opinionit është e autorit, e jo e InfoPress. Me këtë rast Gazeta InfoPress, me kryeredaktor Besir Zyberin, u kërkon falje lexuesve të saj për fjalët fyese që ka pasur në opinionin e Isa Mulajt për gruan e deputetit Kurti dhe jo vetem për të, pavaresisht se opinioni dhe qëndrimet nuk janë qëndrime të InfoPress”, thuhet në reagimin e ‘Gazeta InfoPress’.

Përmes një reagimi zyrtar, ‘InfoPress’ ka njoftuar për suspendimin e një redaktori që ka lejuar publikimin e artikullit fyes dhe ofendues ndaj deputetit të VV-së.

“Në të njëjtën kohë, si kryeredaktor kam suspenduar nga puna redaktorin e ditës për lëshimin e bërë. Po ashtu redaksia ka marrë vendim që të mos i botojë më asnjë shkrim Isa Mulajt”, vazhdon më tej njoftimi.

“Edhe njëherë zonjës Kurti, Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes u kerkojmë falje publike për tekstin e lëshuar, pavarësisht që i njëjti s’ka të bëj me Infopressin”, thuhet në shkrim.

“Po ashtu njoftojmë se shkrimi në fjalë është fshirë nga portali jonë”, njofton ‘Gazeta InfoPress’.

‘Gazeta Infopress’, e cila publikoi këtë artikull nuk ka impresum dhe nuk jep informata se në pronësi të kujt është. Por, portali publikon shpesh opinione dhe qëndrime të Rexhep Hotit të PDK-së, i cili mban postin e zv/ministrit të Kulturës. Rexhep Hoti ka qenë pronar dhe drejtues i Gazetës Infopres, kur publikohej në versionin print gjatë viteve 2006-2009.

Gazeta Online “Insajderi” ka qenë mediumi i parë që ka raportuar për fyerjet e këtij portali ndaj gruas së deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Portali i afërt me zv/ministrin e PDK-së publikon fyerje ndaj gruas së Albin Kurtit

Insajderi, po ashtu sot ka shkruar për fyerjet dhe ofendimet që i njëjti portal kishte bërë më parë ndaj gazetares Jeta Xharra, në vitin 2013. /Insajderi.com