Pas reagimit amerikan, KPK merr masa

Pas reagimit amerikan, KPK merr masa

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm pas reagimit të Ambasadës Amerikane, në lidhje me parregullsitë dhe jo-transparencën në përzgjedhjen e kryeprokurorëve në KPK, njofton Insajderi.

Në komunikatën nga KPK-ja thuhet se “Këshilli ka marrë dhe e ka pranuar me shqetësim reagimin e Ambasadës Amerikane lidhur me procesin e zgjedhjes së anëtarëve prokurorë të Këshillit dhe kryeprokurorëve”.

Andaj, pas diskutimeve, anëtarët e KPK-së kanë dal me disa përfundime si në vijim:

  1. Obligohen të gjithë eproret që në rast se informohen për ndonjë ndikim të papërshtatshëm gjatë proceseve të zgjedhjes së anëtarëve prokurorë të KPK-së dhe kryeprokurorëve ta raportojnë të njëjtin, po ashtu ndalohet çfarëdo ndikimi nga eproret gjatë proceseve të cekura me lartë;

  2. Të rregullohet me ligj, nga institucionet kompetente, procedura në atë mënyrë që anëtarët prokurorë të KPK-së të mos kenë të drejtë të aplikojnë për kryeprokurorë gjatë mandatit të anëtarit të Këshillit, dhe anasjelltas;

  3. Anëtarët prokurorë të KPK-së dhe kryeprokurorët do të zgjedhen në bazë të meritokracisë;

  4. Kushdo që do të ndikojë në proceset e vlerësimit dhe votimit për anëtarë prokurorë të KPK-së dhe kryeprokurorë mund të rezultojë me largim nga gara dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tyre;

  5. I rekomandohet Ministrisë së Drejtësisë që në afat sa më të shpejtë të ndërmarr veprime drejt ndryshimeve ligjore ku përcaktohen rregulla strikte për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KPK-së dhe emërimin e kryeprokurorëve./Insajderi.com