
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet nesër për të marrë vendimet e para në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat janë caktuar të mbahen më 14 shkurt.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tutje tha se ky komision fillimisht do të vendosë për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore.
Elezi tutje bën të ditur se më pas pritet të miratohet plani operacional, ku janë të listuara të gjitha aktivitetet që do të kryhen nga KQZ-ja që nga dita e parë derisa të përmbyllet procesi zgjedhor.
“Të enjten do të mblidhet KQZ-ja për të marrë vendimet e para në kuadër të përgatitjes së këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Elezi.
“KQZ-ja, fillimisht vendos për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore, duke i shkurtuar këto afate dhe përshtatur me ditët që do t’i kemi në dispozicion për përgatitjen e zgjedhjeve si dhe do të miratohet plani operacional, ku janë të listuara të gjitha aktivitetet që do të kryhen nga KQZ-ja që nga dita e parë dhe deri në përmbylljen e procesit zgjedhor”, ka shtuar ai.
Këtë vendim KQZ e mori pas vendimit të Presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen në mes të shkurtit. /Insajderi.com