Pas skandalit me fotografinë, mblidhen krerët e institucioneve të drejtësisë dhe të inteligjencës

Pas skandalit me fotografinë, mblidhen krerët e institucioneve të drejtësisë dhe të inteligjencës

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, mrbrëmë ka paralajmëruar se sot gjatë ditës do të ketë një takim me të gjithë krerët e institucioneve të drejtësisë, inteligjencës dhe insitucioneve tjera, pas ndodhisë së djeshme në Kuvendin e Kosovës.

“Nesër kam ftuar të gjithë bartësit e institucioneve të drejtësisë, të inteligjencës dhe institucioneve tjera gjegjëse që të kemi një takim për këtë çështje që t’i jepet një drejtim”, ka thënë ai.

Duke folur pas zhvillimeve të djeshme ku origjinaliteti i fotografisë së publikuar nga Flora Brovina u vu në dyshim, Vesli  ka thënë se Kosova nuk duhet ta humbasë fokusin.

“Çdo njeri, çdo rrugë, lagje, fshat dhe qytet e ka historinë e vet në këtë masakër që i ka ndodhur popullit tim dhe do t’i bëjmë të paguajnë – kjo është ajo që duhet të fokusohemi dhe orientohemi”.

“Kjo është një dhembje më shumë që i është shkaktuar sonte Kosovës si pasojë e asaj gjendje të rëndë”.

“Është një mesazh për të gjithë, edhe deputetët edhe qytetarët, nuk guxojmë të çorientohemi, ky është qëllimi i Serbisë”.

“Deputetja Flora Brovina insiston. Kur ke parasysh që është një grua që ka pësuar bukur rëndë, do të thotë ka pësuar me përjetimet të veta, dhe kjo pastaj është një vazhdimësi e këtij traumatizimi. Dëshmia e deputetes Saranda Bogujevci na ka rënduar situatën”.

Kryeparlamentari dhe kryetari i PDK-së ka thënë se gjenocidi serb ka ndodhur në Kosovë dhe për këtë ka shumë fakte dhe dëshmitarë.

“Gjenocidi serb ka ndodhur në Kosovë dhe çdo qytetar i Kosovës është dëshmitar. Ka fakte dhe dëshmitarë të mjaftueshëm, nuk kemi pasë nevojë të kemi fotografi që mund të mos jenë të konfirmuara kur i kemi njerëzit e gjallë”.

Por, si e sheh Kadri Veseli këtë zhvillim dramatik – a mund të jetë ky një veprim i agjenturave serbe?

“E rëndë ta them këtë edhe pse dukjen dhe imagjinatën e ka si një bombë e luftës speciale për të shpërhyer që ta shkatërrojë një mision, vërtetësi dhe fakt që është gjenocidi serb, por nuk do të ndalemi”.

“Nuk është vetëm Vasfije Krasniqe, ka shumë gra të tjera. Kanë ndodhur me qindra masakra dhe ka me mijëra të vrarë”.

Ai ka thënë se fillimisht duhet të vërtetohet origjinaliteti ose jo i kësaj fotografie të prezantuar sot nga Flora Brovina dhe më pas do të merren edhe hapa të tjerë.

“Në rend të parë duhet të ketë vërtetësi dhe më pas duhet të ketë hapa në vendimmarrje”.

“Nëse vërtetohet që fotografia nuk është origjinale duhet të ketë jo vetëm kërkim falje, por edhe përgjegjësi. Duhet të jetë një mësim që foltorja e Kuvendit të jetë një vend me peshë dhe përgjegjësi”.

“Duke pasë mijëra gra të dhunuara dhe mijëra të vrarë, çfarë na duhej një gabim të tillë – pse të improvizonim kur kemi diçka reale?”.

Veseli ka thënë se askush nuk mund ta ndalë të vërtetën dhe kriminelët serbë do të paguajnë për krimet që kanë kryer.

“Nuk ka fuqi që do ta ndalë të vërtetën e kombit tonë. Do të paguaj çdo kriminel serb që ka qenë qyqar dhe ka vënë dorë mbi gratë dhe fëmijët e pambrojtur”.

“Një mesazh për shqiptarët tanë – mos u zbrapsni, duhet të ecim përpara dhe nuk duhet të zbrapsemi. Serbia do të paguajë për poshtërsitë e veta që i ka bërë në Kosovë – nuk ka qare pa ndodhë”.

“Mos t’i lëmë mundësi Serbisë që të krijojë mekanizëm të luftës speciale për t’i bishtnuar asasj që ka ndodhur në Kosovë”.

“Serbia dhe kriminelët serbë që kanë vënë dorë mbi fëmijët dhe gratë tona do ta paguajnë rëndë – do t’i shkoj deri në fund”.