Pas takimit me Grenellin Vuçiq thotë: Nuk do të jetë lehtë

“Bisedimet ishin të mira, kemi biseduar për avancimin e standardeve të njerëzve të cilët jetojnë në këto hapësira, dhe në gjithë rajonin”, Ka thënë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq pas takimit me emisarin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump për dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Pas takimit me Grenellin Vuçiq thotë: Nuk do të jetë lehtë

“Kur bëhet fjalë për dialogun në mes Beogradit dhe Prishtinës, nuk ka tema dhe bisedime të lehta. I kam prezantuar Grenellit problemet të cilat i kemi pas vendosjes së taksave në prodhime nga Serbia, për çka jemi duke humbur më shumë se një milion euro në ditë”, ka theksuar Vuçiq.

Siç ka pretenduar, ata kanë biseduar edhe për zhvillimin e infrastrukturës, por edhe për trafikun hekurudhor në mes të Serbisë dhe Kosovës. Ai pretendon se Grenell të hënën do të ketë takime për këtë çështje.

“Është bërë fjalë edhe për fushatën për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës. I thash se disa herë i kemi ofruar marrëveshje Prishtinës që të bëhet pauzë nga dyja palët për çështje të njohjeve, por ata nuk kanë pranuar”, ka pretenduar Vuçiq, me vërejtje se këto çeshtje nuk janë as të lehta e as të thjeshta.

Grenell ka thënë se ka kërkuar nga Beogradi që të ndërpritet fushata e tërheqjes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Ai ka theksuar rolin e rëndësishëm të ekonomisë në zgjidhjen e problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në fund Grenell i ka inkurajuar dyja palët të shikojnë kah ardhmëria e jo kah e kaluara, duke theksuar se komunitetet e biznesit në Kosovë dhe Serbi po krijojnë ardhmëri më të mirë për dyja palët.

Ambasadori SHBA në Serbi Anthony Godfrey ka deklaruar se arritja e emisarit të posaçëm të presidentit amerikan Richard Grenell për negociata në mes të Serbisë dhe Kosovës tregon interesimin e presidentit Donald Trump  dhe të SHBA për Ballkanin Perëndimor.

“Duam që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë në paqe dhe dëshirojmë që ky të jetë rajon në të cilin do të dominojnë vlerat demokratike”, ka deklaruar Godfrey./Insajderi.com.