Pas vendimit të Gjykatës Supreme, KQZ tregon arsyet pse nuk do të fillojë numërimi i votave

Pas vendimit të Gjykatës Supreme, KQZ tregon arsyet pse nuk do të fillojë numërimi i votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mbajë mbledhje gjatë ditës së sotme pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Supreme që e detyron KQZ-në të numërojë 4.639 fletëvotime të votuesve jashtë Kosovës.

Valmir Elezi,  zëdhënësi i këtij institucioni  ka qartësuar se proceduralisht numërimi i këtyre fletëvotimeve nuk mund të fillojë gjatë ditës së sotme.

Ai ka thënë se fillimisht duhet të bëhet vlerësimi i tyre, proces i cili mund të zgjasë së paku dy ditë.

“Para fillimit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është e nevojshme që të bëhet shqyrtimi dhe vlerësimi i zarfeve të supozuara me fletëvotime. Vlerësimi ka për qëllim që ta dimë nëse fletëvotimi është dërguar nga një votues i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo është dërguar nga ndonjë person tjetër që nuk e plotëson këtë kriter të domosdoshëm”, tha Elezi për KosovaPress.

Ai shtoi se pasi të bëhet ky vlerësim do të dihet saktë se sa është numri i fletëvotimeve të aprovuara dhe sa është i atyre të refuzuara dhe se vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen.