Pas vendimit të Kushtetueses, reagojnë nga LDK

Pas vendimit të Kushtetueses, reagojnë nga LDK

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi për formimin e Qeverisë Hoti, kanë reaguar edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo e cila po qeverisë së bashku me partnerët e saj të koalicionit – AAK e NISMA, njofton Insajderi.

Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë që vjen nga radhët e LDK-së, Florian Dushi, me anë të një postimi në Facebook, ka publikuar një fotografi me anëtarë të kësaj partie, derisa i ka vënë një mbishkrim që lidhet me vendimin e Kushtetueses.

“Opozita punën e tyre, gjykata punën e saj, e ne, Lidhja Demokratike e Kosovës, punën tonë”, ka shkruar Dushi.

Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi që ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor.

Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses. /Insajderi.com