Pas vendimit të PZAP-së, Limaj i bindur: Me vota të rregullta jemi në parlament

Pas vendimit të PZAP-së, Limaj i bindur: Me vota të rregullta jemi në parlament

Menjëherë pas vendimit të PZAP-së që ka pranuar të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia ka reaguar, Fatmir Limaj kryetari i Nismës Socialdemokrate.

Limaj në konferencën e thirrur për media ka thënë se me votat e rregullta Nisma dhe partnerët e saj do të përfaqësojnë qytetarët në Kuvendin e Kosovës.

“Nga sot edhe me vendim të PZAP-it, Nisma dhe partnerët janë parti parlamentare dhe u dëshmua ajo që kemi thënë se me vota tona jemi brenda parlamentit”, tha ai teksa pati fjalë të mira për anëtarët e PZAP-it, duke e konsideruar vendimin e tyre si të guximshëm dhe ligjor.

“Sot, Kosova nga vendimi i PZAP-it për të anuluar kontrabandën nga Serbia, është më e sigurt, është ligjore. Është një Kosovë që ka institucione që mbrojnë ligjet. Gjithë ne qytetarët jemi më të sigurt për faktin se vendimi i PZAP-it ka treguar shtetin ligjor. Sot ai organ i tregoi gjithë Kosovës se ka burra dhe gra që shtetin ligjor e kanë të shenjtë. PZAP e ka kthyer në një masë të madhe integritetin e procesit zgjedhor”, u shpreh Limaj.

Ai adresoi edhe akuza ndaj KQZ-së, duke thënë se shpallja e rezultateve të tyre tregon që kanë qenë të gabueshme.

Mes tjerash, Limaj është shprehur se do të vazhdojnë të luftojnë fuqishëm në mbrojtje të ligjshmërisë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP-i, ka vendosur për të gjitha ankesat e paraqitura nga subjektet politike dhe kandidatët për deputetë të cilët janë paraqitur pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranojë të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia./Insajderi.com