Pas vendimit të Supremes, KQZ fillon verifikimin e votave të diasporës

Pas vendimit të Supremes, KQZ fillon verifikimin e votave të diasporës

Pas aprovimit të vendimit të Gjykatës Supreme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar të t’i verifikojë 4.639 zarfe të ardhura nga diaspora.

Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ-së – ai është shprehur se në QNR është duhet u bërë vlerësimi i fletëvotimeve.

“Para fillimit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është e nevojshme që të bëhet shqyrtimi dhe vlerësimi i zarfeve të supozuara me fletëvotime. Vlerësimi ka për qëllim që ta dijmë nëse fletëvotimi është dërguar nga një votues i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo është dërguar nga ndonjë person tjetër që nuk e plotëson këtë kriter të domosdoshëm”, ka thënë ai, përcjell Insajderi.

Elezi ka thënë se pasi të bëhet vlerësimi do të dihet saktë, se sa fletëvotime do të numërohen.

“Pasi të bëhet ky vlerësim, do ta dijmë saktë se sa është numri i fletëvotimeve të aprovuara dhe sa është i atyre të refuzuara. Në fund, vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen”, tha ai.

Mes tjerash, ai ka thënë se vlerësimi mund të na marrë kohë të paktën dy ditë, ndërsa numërimi jo më shumë se një ditë tjetër.

Theksojmë se 4 mijë e 639 vota do të numërohen pas vendimit të Gjykatës Supreme e cila ka hedhur poshtë vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), rrjedhimisht ka pranuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje./Insajderi.com