Pas vizitës së Hotit, Ramosaj thotë se pret të zgjidhet çështja e rrugës te Manastiri

Pas vizitës së Hotit, Ramosaj thotë se pret të zgjidhet çështja e rrugës te Manastiri

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka vizituar Komunën e Deçanit, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Bashkim Ramosaj, njofton Insajderi.

Hoti vizitoi Deçanin vetëm disa ditë pas përplasjeve për rrugën Deçan – Plavë, punimet e së cilës janë ndërprerë me kërkesë të Qeverisë pas ankesave nga Manastiri i Deçanit.

Pas takimit me Ramosajn, kreu i Qeverisë është shprehur i bindur se në ditët dhe në javët në vazhdim do të gjejnë zgjidhjen e duhur për të vazhduar ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë.

“Diskutuam për zhvillimin ekonomik të Deçanit dhe në veçanti për çështjen e rrugës te Manastiri. Ne kemi kulturë institucionale për të respektuar ligjet që janë nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës dhe institucionet vendore dhe jemi këtu për të gjetur zgjidhje më të mirë për të promovuar mbrojtur interesat e qytetarëve të Deçanit, por në të njëjtën kohë për të treguar kujdesin e nevojshëm ndaj objekteve të trashëgimisë së Kosovës siç është Manastiri i Deçanit. Jam i bindur se në ditët në vazhdim do të gjejmë zgjidhjen më të mirë të dakorduar nga të gjitha palët”, ka deklaruar Hoti pas takimit.

Edhe Ramosaj, i cili ditë më parë i dha ultimatum Qeverisë, ka deklaruar se rruga do të ndërtohet pas zgjidhjes së kontekstit me Manastirin.

“Është një përkushtim i përbashkët që të ndërtohet rruga, por të zgjidhet kontesti në tërësi, po shpresoj dhe besoj që jemi në rrugë të mirë që të zgjidhim të gjitha problemet të cilat i ka Deçani”, ka deklaruar Ramosaj pas takimit me Hotin. /Insajderi.com