Pas vrasjes së katër personave në Velipojë, policia me aksion në plazhe për heqjen e shezlongëve dhe çadrave

Pas vrasjes së katër personave në Velipojë, policia me aksion në plazhe për heqjen e shezlongëve dhe çadrave

Një ditë pas paralajmërimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara pa leje, policia ka zbritur në terren për të intensifkuar aksionin “Bregdeti ynë”, të nisur pak kohë më parë.

Policia njofton se ka evidentuar 11 parcela pa leje ku janë hequr rreth 550 shezlongë dhe rreth 280 çadra nga kontrollet në Golem dhe Kavajë përgjatë Përroit të Agait në drejtim të Karpenit.

Sipas policisë, operacioni vijon pa problem dhe kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare, shkruan A2 CNN.

Dokumentacioni po verifikohet një më një dhe për personat që operojnë pa leje do të ketë sanksione dhe bllokim të shtretërve të plazhit.

Problematika për ndarjen e plazheve këtë vit lindi pasi Ministria e Turizmit vendosi që aplikimi të bëhet online përmes portalit e-Albania, por kjo procedurë ka shkaktuar vonesa ndonëse sezoni turistik ka nisur.

Kjo është faza e dytë e operacionit për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundraligjshme me shezlongë e çadra.

Mesnatën e së shtunës konflikti për shfrytëzimin e lejes së plazhit çoi në katër viktima dhe dy të plagosur në Velipojë./Insajderi.com