Pasi bëri spektakël me Loredanën, ish-këshilltari i Thaçit “së shpejti” në Vetëvendosje

Pasi bëri spektakël me Loredanën, ish-këshilltari i Thaçit “së shpejti” në Vetëvendosje

Tomë Gashi, ish-këshilltari i presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar sot se “së shpejti” mund t’i bashkohet mikut të tij, Haki Abazit, në Lëvizjen Vetëvendosje.

Pas aderimit të ish-drejtorit për Ballkanin Perëndimor të Fondacionit “Rockefeller Brothers”, Haki Abazit, në Lëvizjen Vetëvendosje, avokati Gashi lavdëroi Abazin. Duke iu drejtuar atij, tha se “së shpejti do të jemi bashkë”.

“Bravo Zotni Haki së shpejti do të jemi bashkë”, shkroi ish-këshilltari i Thaçit në postimin e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në të cilin njoftim ai bëri të ditur për bashkimin e Haki Abazit me Lëvizjen Vetëvendosje.

I kontaktuar nga Gazeta Insajderi, njeriu i cili për katër vite ishte pjesë e kabinetit të asokohe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk dëshiroi të sqaronte nëse e ka në plan bashkimin me Vetëvendosjen para zgjedhjeve të ardhshme, të cilat pritet të mbahen në fund të muajit shtator.

Gashi nuk e mohoi mundësinë e aderimit në partinë e udhëhequr nga Albin Kurti, ndonëse me arrogancë u shpreh se “100 gazetarë më kanë telefonuar për këtë çështje” por se ka preferuar të mos konfirmojë asgjë.

“Aq sa kam pas me sqaru për sot, e kam shkruar aty [në koment, v.j]. Ti je i 100-ti gazetarë që më keni telefonuar dhe u kam thënë se për sot mjafton vetëm kaq”, ka thënë Gashi.

Paralajmërimi i avokatit Gashi për bashkimin me Lëvizjen Vetëvendosje vjen disa muaj pas përfshirjes së tij në një nga konferencat më spektakolare të shoubizit shqiptar.

Avokati që këshilloi për çështje juridike ish-kryeministrin Thaçi, në maj të këtij viti, doli në një konferencë për media me Loredana Zefin, reperen shqiptare që jeton në Zvicër.

Konferenca u mbajt në Prishtinë, disa ditë pasi Prokuroria e Zvicrës kishte ngritur aktakuzë ndaj reperes nën dyshimin për përfshirje në një skemë mashtrimi, përmes së cilës dyshohet ta ketë dëmtuar financiarisht një çift zviceran.

Ndonëse ngjarja kishte ndodhur në Zvicër, Gashi ishte mburojë për Zefin në secilën pyetje të gazetarëve që kishin mbushur sallën e konferencës së Hotelit Emerald. Por, para se të fillonte konferenca, në një paralajmërim në Facebook, avokati Gashi ia kishte huqur emrit të Loredana Zefit. I ishte referuar si “Loridana”.

Avokati i Loredanës, Tomë Gashi, nuk ia di emrin klientes së tij

Tomë Gashi, jurist me profesion, viteve të fundit është paraqitur edhe si analist politik në studiot televizive. Pasi kishte shërbyer për katër vite si këshilltar i ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, ai nuk ishte angazhuar më drejtpërdrejtë në politikë. /Insajderi.com