Pastrohet për herë të dytë hapësira tek “Fadil Vokrri” – vullnetarët kanë një apel për Komunën dhe Qeverinë

Pastrohet për herë të dytë hapësira tek “Fadil Vokrri” – vullnetarët kanë një apel për Komunën dhe Qeverinë

Është hera e dytë brenda javës që hapësira tek stadiumi i qytetit “Fadil Vokrri”, pastrohet nga vullnetarët e organizatës, “Let’s Do It Kosova”.

Ata ankohen se qytetarët e po ashtu edhe institucionet e vendit si Komuna e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovës janë treguar shumë të papërgjegjshëm për këtë hapësirë, ku ditën e martë shfrytëzohet nga disa shitës ambulant.

Luan Hasanaj, drejtor ekzekutiv i Let’s Do It Kosova ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që urgjentisht të marrë një veprim për ta mbyll këtë treg dhe të largohen ata shitës ambulant, shkruan Insajderi.

“Ajo që më shqetëson është që ky treg qenka i paligjshëm dhe asnjë kriter të vetëm nuk e plotëson për të ushtruar atë veprimtari dhe dua t’i bëj apel Komunës së Prishtinës që urgjentisht të marrë një vendim për ta mbyllë këtë treg, sepse komuniteti i cili shet këtu nuk po kujdeset për asgjë tjetër përpos të marrë paratë dhe të shkojë, t’i lë prapa të gjitha mbetjet që nuk iu shiten”, ka thënë Hasanaj.

Po ashtu ata kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës që në këtë pjesë të qytetit të sjellin sa më shumë kontinierë po ashtu kanë kërkuar edhe nga kompania “Pastrimi” që të jenë më të përgjegjshëm për punën që ata e bëjnë.

“Vetëm para 3 ditëve kjo hapësirë ishte e pastër, u pastruan 35 kamionë mbetje ndërtimore dhe mbi 150 thasë mbetje prej vullnetarëve. Por ajo çfarë ndodhi të martën, situata u kthye pothuajse njëjtë siç ishte më parë dhe ne do të kthehemi prapë të martën do kërkojmë nga inspektorët të jenë këtu për t’i dënuar ata që bëjnë veprime si këto që shohim dhe kemi kërkuar nga komuna të sjell kontinierë të paktën, sepse është vetëm një dhe kërkojmë nga “Pastrimi” të jetë më e përgjegjshme në punën e saj, sepse kanë obligim dhe faj për këtë situatë dhe nuk mund të shfajësohet nga kjo përgjegjësi”, ka shtuar Hasanaj.

Mirëpo vullnetarët e “Let’s Do It Kosova”, kanë paralajmëruar një aksion më ndryshe nëse vazhdon kjo papërgjegjësi e institucioneve.

Hasanaj ka treguar se herën e tretë të aksionit të gjitha mbeturinat që do t’i mbledhin do t’i dërgojnë para dyerve të Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës.

“Aksioni i tretë do jetë ndryshe, ne do vijmë të pastrojmë dhe mbetjet qe mblidhen këtu do t’i dërgojmë para komunës dhe secilit institucion që është përgjegjës për të ndaluar ata që veprojnë kështu sepse as ne nuk mundemi të organizojmë pafundësisht aksione për të pastruar mbetjet të cilat i kanë përgjegjësi”, ka thënë Hasanaj.

Kjo hapësirë është pastruar të premten e kaluar dhe janë larguar dhjetëra thasë nga vullnetarët e “Let’s Do It Kosova”, ku në atë aksion kishte marrë pjesë edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ku edhe kishte paralajmëruar gjoba për ata që do të hedhin mbeturina në këtë pjesë të qytetit.  /Insajderi.com