Pasuria milionëshe e kryetarit të zgjedhur të LDK-së në Pejë

Pasuria milionëshe e kryetarit të zgjedhur të LDK-së në Pejë

Gazmend Muhaxheri do të vazhdojë edhe një mandat ta udhëheq degën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë.

Delegatët e Kuvendit  Zgjedhor të Degës së LDK-së në Pejë e kanë rizgjedhur Muhaxherin kryetar të kësaj dege edhe për një mandat tjetër katër vjeçar.

Në Kuvendin e Nëntë Zgjedhor, ku ishin të pranishëm edhe deputetët Avdullah Hoti dhe Armend Zemaj, kryetari aktual i degës së Pejës, Muhaxheri, mori besimin e delagatëve për t’i prirë LDK-së në Pejë.

E sipas deklarimit të pasurisë për vitin 2019, del se Muhaxheri ka 2.4 milionë euro pasuri të paluajtshme, sipas të dhënave të Agjencisë Kundër Korrupsion.

Pronësi e tij sipas këtyre të dhënave janë një tokë prej 10000 metra katrorë të cilën e ka blerë më 2012 dhe e ka vlerën 25000 euro, shtëpi dhe tokë të cilat i ka blerë më 2014 me vlerë 40000 euro dhe një tokë tjetër po ashtu e blerë për 25000 euro. Pjesën tjetër të pronës e ka konsideruar të përbashkët ose në emër të prindit.

Po ashtu ai i ka deklaruar edhe dy vetura në vlerë të përbashkët prej 26 mijë euro.

Ai ka detyrime financiare ndaj bankave ‘TEB’ dhe ‘NLB’ në vlerë prej 99 mijë euro. /Insajderi.com