Enver Sekiraça ka ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë dhe lokalin e tij, si garancion vetëm që të lirohet nga paraburgimi, si i dënuar nga shkalla e parë për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës dhe veprën penale të detyrimit, me gjithsej 37 vjet burgim raporton KTV. Kërkesën, Sekiraça e ka bërë para trupit gjykues të Gjykatës së Apelit, që mbajti seancë për të shqyrtuar ankesat e mbrojtjes.
Megjithëse i dënuar me 37 vjet burg, Enver Sekiraça ka kërkuar nga Gjykata e Apelit të lirohet nga paraburgimi. Në seancën që është mbajtur këtë të mërkurë, Sekiraça ka ofruar shtëpinë e tij, lokalin dhe një shumë të hollash që mund të mblidhen nga familja e tij si garancion.
Ai edhe një herë tjetër ka mohuar lidhjen me vrasjen e Triumf Rizajt, derisa ka akuzuar policinë e prokurorinë për montim të rastit ndaj tij.
Kërkesa e njëjtë, para Sekiraçës, u bë nga avokati i tij, Bostjan Penko, por këtij të fundit, kryetarja e trupit gjykues ia ka rikujtuar nenin 367 të Kodit Penal, më saktë paragrafin dy.Ky paragraf përcakton që për dënime të shqiptuara prej 5 ose më shumë vjet burg, të akuzuarit i caktohet paraburgimi.
Penko, në fjalën e tij, përveç që ka thënë të ketë pasur presion mbi dëshmitarët, ka kërkuar që provat e marra në lokalin “Sekiraça” dhe të dhënat mbi vendndodhjen të marra nga PTK-ja të shpallen të pavlefshme
.“Më duhet të them se të gjitha provat thelbësore, në të cilat është bazuar ky aktgjykim, janë marrë në mënyrë joligjore dhe të gjitha provat e tilla duhet të largohen nga shkresat e lëndës dhe aktgjykimi nuk mund të merret në këtë bazë”.
Në anën tjetër, përveç rikujtimit për zbatim të obligueshëm të nenit 367, prokurorja Anca Stan, shkurt, është përgjigjur për të gjitha ato që ka ngritur avokati Penko.
Përderisa Penko kontestoi dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur D2, ajo ka theksuar se vlerësimet e bëra nga Gjykata Themelore nuk mund të zëvendësohen në Apel.
Sekiraça është në paraburgim si i dënuar me 37 vjet burg, për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza dhe veprën penale të detyrimit, të shqiptuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në maj të vitit të kaluar.