Patriarku serb Porfirije, beson se në të ardhmen e afërt do të krijohen kushte që serbët dhe shqiptarët të bashkëjetojnë në Kosovë.
“Unë thellësisht besoj se herët a vonë do të ketë një pikë kontakti dhe një mundësi për jetën e përbashkët të shqiptarëve dhe serbëve dhe popujve të tjerë në Kosovë. Serbët dhe shqiptarët, dua të them bota e zakonshme, njerëzit, kanë jetuar së bashku për shekuj me radhë dhe ata mund të gjenin një rrugëdalje dhe sa herë që të kishte ndonjë pengesë.
Por, për momentin, interesa të ndryshme të mëdha janë të ndërthurura rreth Kosovës, të cilat, në fakt, i shohin njerëzit e Kosovës si objekte dhe vetë Kosovën si një territor pa shpirt. Për ne, Kosova është diçka krejt tjetër”, tha patriarku në një intervistë për Radio Beograd 2, përcjell Insajderi.
Kur u pyet se si e sheh të ardhmen e monumenteve kulturore dhe historike serbe në Kosovë, patriarku tha se kjo varet vetëm nga serbët, pavarësisht nga faktorë të ndryshëm të jashtëm.
“Unë jam i sigurt se, nëse kemi një gjendje të tillë shpirtërore, herët a vonë do të vijmë në një situatë në të cilën do të jemi në gjendje të jetojmë së bashku, ku nuk duhet të jemi si vëllezër, por jam i sigurt që do të jemi në gjendje të kemi fqinjësi të mirë”, shtoi ndër të tjera ai. /Insajderi.com