Patriotë të pasur të një shteti të varfër

Për tashmë dy dekada, kosovarët janë udhëhequr nga një kastë politikanësh të cilët kanë luajtur kartën e “patriotit” si formë joshëse për të marrë vota, e kësisoj pushtet. Këtë pushtet “patriotët” e kanë shfrytëzuar jo për të pasuruar shtetin por vetën. Insajderi ju sjellë një listë të “patriotëve të pasur” që menaxhojnë një shtet të varfër.

Patriotë të pasur të një shteti të varfër

Për dekada Kosova ishte ndër rajonet më të varfra në ish-Jugosllavi. Si krahinë e Serbisë nga e cila arriti të shmangej me luftë, kishte shpresë se qytetarët e saj do kishin një jetë më të mirë. Pavarësisht kësaj – në mbi 19 vite Kosovë të lirë – ajo mbetet një prej vendeve më të varfra në Evropë.

Bruto produkti vendor është më i ulëti në kontinent, papunësia është afër 30 për qind, Kosova mbetet ndër shtetet me korrupsionin më të lartë, si dhe i vetmi vend i Evropës, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza.

Mirëpo, këto probleme nuk vlejnë për shumë nga ata që ishin në krye të luftës së UÇK-së. Kjo luftë i shpërbleu ata me pasuri të majme. Problemet e varfërisë, papunësisë e izolimit nuk i prekin ‘‘komandantët patriotë’’ të Kosovës.

Shumë nga ta janë milionerë që kanë në pronësi biznese të ‘‘suksesshme’’ me prona të shumta, dhe qindra mijëra euro kesh nëpër banka. Familjarët e tyre bëjnë jetë luksoze, me udhëtime nëpër kontinentet e botës, me pasurinë e arrirë në vendin më të varfër të Evropës.

Një ndër figurat kyçe të luftës dhe të pasluftës në Kosovë ishte dhe është Hashim Thaçi. Rrugëtimi i tij nisi si udhëheqës politik i UÇK-së, kryetar i partisë më të madhe opozitare pas luftës, dhe Kryeministër i Kosovës nga 2007 deri me 2014, kur morri postin e Ministrit të Jashtëm. Në më shumë se dy vitet e fundit ai është President i Republikës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Në gjithë këto vite, janë të shumta rastet kur Presidenti Thaçi ka folur dhe ka përdorur angazhimin për ‘‘kundërshtim dhe mposhtje të Serbisë, qoftë në luftë qoftë në paqe’’.

‘‘I kam pasur tri andrra’’, shpeshherë ka thënë Thaçi; ‘‘çlirimi i Kosovës, shpallja e pavarësisë dhe integrimet euro-atlantike të saj’’.

Këtë të fundit e ka lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit e zhvillimit ekonomik
të vendit.

Sa ishte kryeministër pati premtuar 200 mijë vende të reja të punës për të zbutur papunësinë në vend, gjë që nuk ndodhi asnjëherë.

Por mbi të gjitha, ‘‘mposhtja e Serbisë’’, ‘‘patriotizmi’’, ‘‘integrimet euro-atlantike’’ dhe ‘‘mbi 200 mijë vendet e reja të punës’’ atë e kanë bërë të pasur, për dallim nga kosovarët.

Në mars të vitit 2018, Presidenti Thaçi ka deklaruar afër 150 mijë euro para të gatshme në xhirollogarinë e tij bankare, bashkëshortes dhe djalit të tij. Pasuri e cila për çdo vit rritet për 42 mijë euro – rrogë të cilën e merr nga buxheti i varfër i vendit si president i vendit. Por që nga qershori i këtij viti paga e tij mujore si president i vendit i është rritur për 25 për qind me vendimin e Kryeministrit Haradinaj dhe të aprovuar nga Gjykata Kushtetuese.

Kontos familjare të presidentit Thaçi ju shtohen për vit edhe mbi 21 mijë euro për vit. Para të cilat i fiton bashkëshortja e tij, Lumnije Thaçi, si profesoreshë në një kolegj privat dhe pjesën tjetër nga buxheti i vendit, si profesoreshë e Universitetit të Mitrovicës.

Gruaja e presidentit merr mbi 1700 euro për muaj, paga mesatare në Kosovë vazhdon të jetë 360 euro për muaj.

Në anën tjetër Presidenti me bollëk ka edhe pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme. Në vitin 2018, në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar pasuri të paluajtshme me vlerë 260 mijë euro dhe vetura me vlerë 38 mijë euro.

Luftës së Hashimit duket i’a kanë pa hairin edhe vëllezërit e tij, Ganiu dhe Blerimi.

Më i madhi Ganiu për disa vite ka qenë Drejtor Ekzekutiv i Byros Kosovare të Sigurimeve, institucion në të cilin qarkullojnë miliona euro për çdo vit.

Kryesisht, kapital i mbledhur mbi pagesat që kosovarët nga diaspora paguajnë sa herë që me vetura vijnë në Kosovë. Ata të cilët dikur kontribuuan jashtëzakonisht shumë financiarisht për luftën e Kosovës – e Hashim Thaçi e ka përmendur shumë shpesh – pagesat për kartonin e gjelbër i kanë cilësuar si ‘‘plaçkitje’’.

Ganiu i Byrosë dhe vëllai Blerimi janë përmendur disa herë se kanë në pronësi biznese milionëshe dhe me anë të së cilave kanë përfituar edhe tenderë publike.

Nga komandant i fushëbetejave në milioner

Një ndër komandantët më të spikatur të luftës së UÇK-së, Ramush Haradinaj për nga pasuria i’a kalon ish-udhëheqësit të tij politik gjatë luftës.

Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Dukagjinit – në 18 vite, dy herë kryeministër i vendit – për nga të ardhurat financiare, vitin e ka jashtëzakonisht të begatshëm në krahasim me kosovarët. Brenda një viti atij i vijnë hiq më pak se 121 mijë euro.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Në përllogaritje të thjeshtë, përderisa kosovarët jetojnë me më pak se 400 euro në muaj, familja e kryeministrit ka në dispozicion mbi 10 mijë euro për muaj.

Këto para vijnë nga rroga e tij si kryeministër, shtëpia e lëshuar me qera, paga mujore e invalidit të luftës, si dhe pagat mujore të bashkëshortes së tij, Anita Haradinaj. Përderisa vetëm 12 për qind e grave në moshë pune në Kosovë janë të punësuara, gruaja e kryeministrit mbanë tri vende pune.

Nga 1 mijë euro përfiton nga një agjenci marketingu dhe po aq nga një kompani e sigurimeve ku ajo punon. Ndërsa, nga buxheti i shtetit, si pjesë e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), fiton 660 euro në muaj.

Përkundër kësaj, parave të përmuajshme që i shkojnë Kryeministrit Haradinajt, ato do të rriten për dyfish, pasi ai i rriti vetes dhe zyrtarëve të lartë të shtetit pagën posa morri postin e kryeministrit. Nga 1443 euro për muaj sa ishte paga për paraardhësit e tij, Haradinaj për vete e vendosi që pagën të kishte dyfish më të lartë, në 2950 euro në muaj.

Përkundër se Kryeministri Haradinaj në fushatën zgjedhore majit-qershorit të 2017-ës premtonte zhvillim ekonomikë dhe rritje pagash kjo nuk ndodhi. Paga minimale mbetet 130 euro për personat nën moshën 35 vjeçare dhe 170 euro për ata mbi këtë moshë.

Haradinaj që dikur qytetarëve të varfër të Kosovës u kërkonte para për tu përballur ma Tribunalin e Hagës për akuzat për krime lufte, gjatë një vit qeverisje, përkundër kërkesave të Këshillit Ekonimik Social që kjo të ndodhë nuk e ka përmendur rritjen e pagës minimale. Mos rritja e pagës minimale tregon se ekonomia e vendit ka ngecur për të cilën dikur Haradinaj premtonte se do ta zhvillonte sapo të vinte në pushtet.

Në anën tjetër me këto para të përmuajshme, Haradinaj ka deklaruar edhe detyrime financiare prej 34 mijë e 531 euro që duhet t’i shlyejë.

Përkundër të ardhurave të shumta mujore, i pari i ekzekutivit në bankë ka deklaruar vetëm 5 mijë e 49 euro e 55 cent. Kjo të bën të ngritësh pyetjen se; Haradinaj a shpenzon mijëra euro gjatë vitit apo parat i mbanë në shtëpi?

Kryeministri mund t’i mbajë kudo paratë por duket se nuk duhet të brengoset t’i shpenzojë ato për pasuri të paluajtshme.

Në vitin 2018 pasuria e tij e deklaruar në AKK për toka e shtëpi kap vlerën afër 950 mijë euro. Pavarësisht kësaj pasurie, duket se veç pasuria e luajtshme nuk i ka ecur mirë. Në kuadër të kësaj, Haradinaj ka deklaruar se vetëm një veturë në vlerë 8 mijë euro ka në posedim dhe atë pronësi të bashkëshortes së tij.

Bajraktari i Malishevës çelik i pasur me toka, ‘ligshtë’ nga keshi

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj në mars deklaroi në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) se nga pozita shtetërore që ka përfiton 1,356 euro për muaj. Por, kjo shumë u rrit afër 100 për qind prej qershorit. Realisht, ish-komandat Çeliku nga buxheti i shtetit merr 2500 euro për mua – që i bie rrafsh 30 mijë euro në vit.

Bashkëshortja e tij në vit fiton 5400 euro në vit, prej pagës 450 euro neto për muaj.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj

Limaj ka së paku ka dy paga në muaj në familjen e tij – sepse të ardhurat e fëmijëve të tij nuk i ka deklaruar. Zv.kryeministri i tanishëm në fushatën zgjedhore premtonte se papunësia do luftohet dhe çdo familje do ketë së paku nga një të punësuar.

Shtresat më të prekura nga papunësia në Kosovë janë të rinjtë; 55 për qind e personave mes moshës 16 dhe 25 vjeçare janë të papunë. Përkundër kësaj, gjatë këtij muaji, Limaj në Pejë kritikonte të rinjtë për tendencën e tyre për tu larguar nga vendi.

‘‘Kërkush atje nuk iu pret as me lule, as krahëhapur e as nuk iu thotë mirë se erdhët’’, u thoshte zv.kryeministri i tyre.

Por pavarësisht kësaj, të rinjtë vazhdojnë të kenë arsyeje për tu larguar nga vendi. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës nëse një familje kosovare përballet me një shpenzim prej 500 eurove të paparashikuar ata nuk mund ta përballojnë atë – qoftë për sëmundje studime apo për çka do qoftë.

Edhe pse dikur, familjarët e tyre ndihmuan financiarisht ish Komandant Çelikun për tu mbrojtur nga akuzat për krime lufte të Tribunalit të Hagës; në një vit qeverisje nuk po shihet përmirësim i gjendjes ekonomike apo realizim i premtimit të tij për krijimin e së paku 25 mijë vendeve të reja të punës.

Në anën tjetër Limaj nuk ka deklaruar pasuri të luajtshme e as para të gatshme por nga pasuria e paluajtshme është thuajse milioner – pasi ka hiq më pak se 820 mijë euro.

‘‘I pari i Kuvendit e ish-pari i ShIK-ut deklaron pasurinë me kode’’

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli e ka jo specifike deklarimin e pasurisë. Tek pasuria e paluajtshme ka deklaruar katër prona por vetëm për banesën e tij ka treguar se kushton 97 mijë euro. Ndërsa ka cekur se ka edhe një lokal afarist, shtëpi e tokë-mali por të cilave nuk ua ka bërë të ditur vlerën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

Përderisa ishte misterioz për pronat e lartë cekura, për veturën e tij JEEP ka treguar se i ka kushtuar 16 mijë euro. Kurse paratë e gatshme i mbanë në tri xhirollogari bankare, në të cilat ka gjithsej 12 mijë e 300 euro. Bashkëshortja e tij – në dy xhirollogari bankare – para të gatshme ka mbi 2600 euro.

Këto pare mund të mos gajlohet se do i harxhohen, pasi për çdo vit përfiton 33 mijë euro si Kryetar i Kuvendit.

”Ajo çka e prek çdo familje tonë, është mungesa e vendeve të punës. Në mënyrë shqetësuese si pasojë të rinjtë po dalin jashtë shtetit për të kërkuar punë”, thoshte Veseli në fushatë zgjedhore.
Për këtë premtonte se PAN-i do krijonte 60 mijë vende të reja, të cilat nuk po shihen gjëkundi. Ish i pari i Shërbimit Informativ të Kosovës ndoshta nuk ka gjetur formulën për punësimin e kosovarëve, por për gruan e tij po. Ajo ka dy vende pune -një prej tyre në Ministrinë e Arsimit – prej të cilave paguhet afër 18 mijë euro në vit.

Komandanti i FARK-ut vs Komandat Zeka

Luftës për çlirimin e Kosovës nuk ja kanë parë hairin vetëm komandantët e UÇK-së por edhe oponentët e tyre të Forcave të Armatosura të Kosovës që funksionin nën ish presidentin Rugova. Figurë e rëndësishme për tash e disa vite është bërë edhe Anton Quni që dikur ishte pjesë e FARK.

Quni fillimisht angazhimit të tij në luftë ja pa hajrin kur u bë pjesë e TMK-së. Të cilën e la për tu bërë pjesë e LDK-së dhe për të marr një post zyrtar në 2010 – atë të deputetit. Ai vazhdon të jetë deputet, ku nga kjo dhe pensioni si pjesë e TMK-së përfiton 24 mijë euro në vit.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni dhe Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti

Ndërsa fëmijët e tij në vit marrin gjithsej 32 mijë e 524 euro. Para të gatshme ai ka deklaruar se ka 2,600 euro në njërën nga bankat vendore, ndërsa, në njërën nga bankat e Wienës ka deklaruar se ka 3,100 para këto që sipas tij i takojnë fëmijëve të tij.

Kësaj pasuri familjare ju shtohen edhe 412 mijë euro prona të paluajtshme, si dhe dy vetura – Mercedes 220 dhe BMW X5 – në vlerë prej 11 mijë eurove.

Nga kjo mund të themi se Quni që kritikonte shumë nga komandantët e UÇK-së janë pasuruar nga lufta, nuk mund të thuhet se edhe pse i pasur nuk ka hequr dorë nga përfitimi i pensionit invalidor.

Në mars të këtij viti, në seancën plenare të Kuvendit Quni akuzonte Xhavit Halitin se ka keqpërdorur fondet e luftës. 8 milion marka ishin në pyetje, që sipas deputetit të LDK-së, ish-komandant Zeka i ka marrur nga ish-ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi dhe destinacioni i tyre nuk dihet. Para të cilat ishin mbledhur nga fondet e luftës për të cilat kishin kontribuar shqiptarët anembanë botës.

Nënkryetari i Kuvendit mohonte fuqishëm dhe e quante ‘rrenc’ Qunin dhe se ai nuk ka asnjë dëshmi për të vërtetuar ato akuza.

Dëshmi se ku kanë mbetur ato para sot e kësaj dite nuk ka. Por ajo çka dihet se sa pasuri ka deklaruar Xhavit Haliti.

Dihet se për nga pasuria e paluajtshme, Haliti është milioner. Ai ka prona në vlerë hiq më pak se 1 milionë e 220 mijë euro, për të cilat thotë se janë pasuri e përbashkët me familjarët e tij.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti nga ky post përfiton 30 mijë e 393 euro në vit, që për çdo muaj i bie 2532 euro. Ai është edhe kursimtar; para të gatshme ka deklaruar 133 mijë e 260 euro.

Për nga vetura dhe stolitë e arit ka pasuri me vlerë 32 mijë eurove.

I forti i Vetëvendosjes jo fortë ‘i pasur’

“10-shi” apo “Rexha” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është treguar goxha i rezervuar në deklarimin e pasurisë së tij.

Në Agjencinë Kundër Korrupsion, Rexhep Selimi i Vetëvendosjes ka deklaruar pasurinë e paluajtshme që kap vlerën e 184 mijë euro, pasuri të luajtshme dy vetura në vlerë të përbashkët prej 20 mijë e 720 euro. Tek të hyrat vjetore Selimi nuk ka harruar të deklarojë ‘Pensionin e Veteranit’ të bashkëshortes në vlerë 170 euro.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi

Përderisa ka zgjedhur të mos deklarojë asnjë cent nga paratë e gatshme që ka në institucione financiare.

Por nuk ka harruar ta cekë detyrimin financiar’, që ka ndaj një banke me vlerë prej 10 mijë euro që duhet ta kthejë për 24 muaj.

Në deklarimi e pasurisë së tij të vitit 2018 nuk ka treguar as sa para merr nga posti i deputetit.

Përderisa Rexhep Selimi i Vetëvendosjes në vitin 2018 nuk ka deklaruar as pagën e deputetit në vitin 2017 ai ka treguar se nga posti i deputet çdo vit përfiton 18 mijë euro.

Selimi as në vitin 2017 nuk ka deklaruar para të gatshme në ndonjë bankë.

Për një kohë Rexhep Selimi njihej si milioner krejt kjo pasi që dyshohej se deputeti i Vetëvendosjes kishte biznese e prona të tjera të cilat nuk i kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Selimi përkundër kësaj është deklaruar se ai merr vetëm rrogën e deputetit ndërsa ishte distancuar nga pasuria multi- milionëshe e vëllezërve të tij.

Njësoj sikur vëllezërit e presidentit edhe vëllezërit e Rexhep Selimit njihen për “problematikë”.

Në vitin 2016, Islam Selimi dyshohej që kishte uzurpuar një pronë milionëshe. Selimi kishte mohuar një gjë të tillë me arsyetimin se ka kontratë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ku çdo muaj i paguan qira për atë pronë.

Ai ka thënë se nuk mund të krahasohet me uzurpatorët e tjerë, që si kanë paguar asnjëherë AKP-së, qira.
Vëllai tjetër i Rexhep Selimit, Ramadani në këtë vit ishte shoqëruar për në stacionin e policisë për sulm ndaj policit dhe mospërfillje të urdhrave.

Ngjarja kishte ndodhur derisa policia e kishin ndalur një makinë, për kundërvajtje në trafik, e cila ka rastisur të jetë e vëllait të deputetit Selimi.

Ramadani nuk i kishte përfillur urdhrat e policit dhe e kishte sulmuar fizikisht zyrtarin policor me inicialet A.I. Pas këtij veprimi, ai është shoqëruar në stacionin policor. Por, pas gjithë këtyre nuk kishte vonuar shumë dhe Ramadan Selimi ishte liruar me procedurë të rregullt.

Selimi e kishte quajtur si montim gjithë ngjarjen, pra që vëllai i tij sulmoi një policë e më pas u arrestua.

“Po duket se hakmarrja filloi. Ta shohim deri ku po shkojnë me montime rastesh sikur ky qe po e shoh ne media. E kam pritur…”, kishte shkruar ai në Facebook.

E siç duket Rexhep Selimi e vëllezërit e tij, vërtete ia kanë pa hairin luftës çlirimtare të UÇK-së, sepse duket të jenë të paprekshëm nga ligji./Insajderi.com