Kryeministri Isa Mustafa vazhdon të heshtë karshi zyrtarëve shtetërore ndaj të cilëve institucionet e drejtësisë kanë ngritur aktakuza, ani pse fillimisht ai është zotuar të mos i lejoj ata të jenë pjesë e institucioneve.
Mustafa mos mbajtjen e këtij premtimi e ka dëshmuar në dy rastet e fundit, kur u ngrit aktakuza ndaj ministrit për Komunitete dhe Kthim Dalibor Jevtic dhe Murat Mehës dhe Kryeshefit të Agjencionit Kadastral të Kosovës.
Janë bërë katër muaj që kur Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim detyre ndaj Murat Mehës.
Sipas prokurorisë Meha keqpërdori detyrën në një rast me “Marigona Rezidencë” duke e dëmtuar këtë biznes me 5 milion euro. Megjithkëtë, kryeministri nuk e mori vendimin për ta shkarkuar atë.
Njësoj veproi edhe ndaj ministrit për Komunitete dhe Kthim Dalibor Jevtic, për të cilin në mars të këtij viti Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë. Jevtic sipas aktakuzës keqpërdori detyrën dhe pasurinë shtetërore.
Ai kishte marrë vendim në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës, duke e dhënë në shfrytëzim të përhershëm një automjeti zyrtar për kompaninë private, “përkatësisht Radio KIM –TV Centar, me seli në Çagllavicë komuna e Graçanicës”.
Meha e Jevtic vazhdojnë të jenë në krye të institucioneve përkatës, njësoj sikur para ngritjes së aktakuzave.
Por, Mustafa pas publikimit të raportit të “Transparency International”, në janar të këtij viti, ishte ngutur t`ia atribuonte meritat qeverisë që sipas tij ka arritur me sukses të suspendoj zyrtarët me aktakuza duke ndikuar që ky raport ta përmende Kosovën për të mirë në këtë pikë.
“Përmirësimi i renditjes së Kosovës në raportin e TI-së është rezultat i hapave konkret që kemi ndërmarrë duke filluar që nga suspendimi i çdo zyrtari ndaj të cilit është ngritur aktakuzë, te reformat strukturale siç është prokurimi elektronik, e deri te fakti se gjatë tërë këtij mandati nuk ka ndodhur asnjë aferë korruptive”, deklaroi Mustafa më 25 janar të këtij viti.
Kryeministri Mustafa, i ishte referuar dorëheqjes ish-ministrit Ferid Agani i cili e mori vendimin për tu larguar menjëherë pas ngritjes së aktakuzës për aferën “Stenta”. Dorheqja e Aganit u miratua nga Isa Mustafa me 20 qershor të vitit të kaluar.
Shefi i qeverisë deri tani ka pezulluar nga detyra vetëm një zyrtarë të saj.
Në muajin shkurt të këtij viti Zahir Bajramin, drejtor i Zyrës për Buxhet dhe Financa në kryeministri, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kërkuar ryshfet për zgjidhjen e një lënde në gjykatë. /Insajderi.com