PDK: Demonstrimi i sotëm i forcës në zyrat e OVL-UÇK i panevojshëm

PDK: Demonstrimi i sotëm i forcës në zyrat e OVL-UÇK i panevojshëm

Lidhur me arrestimin e kryetarit dhe nënkryetarit të OVL-së së UÇK-së, si dhe me bastisjet e fundit në zyrat e kësaj organizate, ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media, njofton Insajderi.

Në një prononcim drejtuar gazetarëve, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili ka thënë se asnjë ushtar i UÇK-së nuk ka luftuar për emrin e tij, por për liri dhe këto aksione në zyrat e OVL-së, t’i kujtojnë kohët e kaluara, që nuk kanë qenë të mira.

“Asnjë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka luftuar për emrin e tij, por vetëm në emër të idesë së lirisë. Sot, ata po privohen nga liria në mënyrë absurde.

Pamjet e sotme të arrestimeve dhe bastisjeve në Organizatën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për fat të keq, kthejnë prapa kujtesën e kohëve më të padëshiruara”.

Kjo formë e sjelljes, sipas Ismailit, është formë e represionit dhe se shkakton vuajtje dhe trauma të rënda.

“Vrazhdësia e shfaqjes së njësive të armatosura është simbol i represionit. E në Kosovë, represioni ringjall vuajtjen dhe traumën e rëndë të së kaluarës që ka përjetuar populli i Kosovës, secila familje, secili qytetar”.

Ismaili ka vazhduar tutje se Lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe se çdo ushtar ndaj çdo kërkese ndërkombëtare është përgjigjur në mënyrë korrekte.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pastër dhe luftë mbrojtëse.

Secili pjesëtar i UÇK-së, që është ftuar nga drejtësia ndërkombëtare dhe vendore, për 21 vjet, është përgjigjur me korrektësinë absolute. Kjo gatishmëri ekziston edhe sot.

Nuk ka nevojë për demonstrim të forcës. Nuk ka nevojë të provokohet nga askush dhe për asnjë qëllim kjo traditë e bashkëpunimit, e cila duhet të mbetet gjithnjë e tillë. Kosova ka qenë dhe mbetet shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare, dhe ky është një fakt i njohur botërisht”./Insajderi.com