Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka dënuar sulmin ndaj bashkëshortes së zëdhënësit të PDK-së, Blerand Stavilecit, duke thënë se, përveç tjerash, ishte sulm ndaj një nëne.
“Sulmi ndaj bashkëshortes së zëdhënësit të Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, është i papranueshëm dhe qyqar”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
“Është sulmi ndaj një nëne, ndaj një gruaje dhe mbi të gjitha ndaj një qytetare të Kosovës”, ka shtuar më tej ai.
“Tendenca e theksuar për të ndjellë frikë përmes sulmeve fizike tek anëtarët e PDK-së nuk do të arrijë ta ndalë angazhimin dhe punën tonë në të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka përfunduar Hoxhaj.
Për më tepër, persona ende të panjohur e kanë sulmuar sot gruan e zëdhënësit të PDK-së, Blerand Stavileci, e cila ka marrë trajtim mjekësor në QKUK.
Policia e ka konfirmuar rastin, dhe ka shtuar se është duke u marrë me hetimet dhe identifikimin e personave./Insajderi.com