Partia Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si të papranueshme rritjen e çmimit të energjisë elektrike, përcjell Insajderi.com.
Sipas shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, gjithë kjo rritje ka ardhur si pasojë e “paaftësisë” së menaxhimit të situatës nga “mazhoranca e udhëhequr nga Albin Kurti”.
“PDK-ja ka paralajmëruar që nga muaji tetor për krizën energjetike që rrezikonte të përfshinte edhe vendin tonë, për çfarë qeveria qëndroi totalisht indiferente”, shkroi ndër tjerash ai.
Tutje, Tahiri deklaroi se grupi parlamentar i tyre në seancën parlamentare të së enjtes, do të shfrytëzojnë mundësitë që të mos realizohet kjo ngritje e çmimit.
“Grupi Parlamentar i PDK-së, do t’i shterojë të gjitha mundësitë, që në seancën parlamentare të ditës së nesërme, të mos lejojë këtë barrë të rëndë e të papranueshme për qytetarët e Kosovës”, shkroi ndër tjerash ai./Insajderi.com