PDK e quan skandaloz ndërprerjen e mësimit para kohe

PDK e quan skandaloz ndërprerjen e mësimit para kohe

Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur skandaloz vendimin e Qeverisë së Kosovës që procesi mësimor të ndërprehet më herët, njofton Insajderi.

Sipas anëtarit të kryesisë së kësaj partie, Muzafer Shala, vendi po përballet me një situatë të patolerushme të “keqmenaxhimit” të procesit mësimor nga ana e Qeverisë Hoti, e veçanërisht nga Ministria e Arsimit.

Mungesa e librave, orët mësimore të shkurtuara, mungesa e kushteve për zhvillimin e procesit mësimor online, mungesa e masave mbrojtëse kundër përhapjes së Coronavirusit, janë disa nga pikat që Shala i përmendi si probleme të cilat e kanë karakterizuar procesin mësimor këtë vit.

“Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë Hoti që ta kthej sa më parë fokusin tek sigurimi i cilësisë në arsim, shëndeti i nxënësve dhe mësimdhënëse dhe t’i minimizoj efektet negative që mund t’i vuajmë në 10-20 vitet e ardhshme”, ka thënë ai gjatë një konference për media./Insajderi.com