PDK e thotë qartë: S’bëhemi pjesë e asnjë diskutimi për qeverinë e ardhshme

PDK e thotë qartë: S’bëhemi pjesë e asnjë diskutimi për qeverinë e ardhshme

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e asnjë diskutimi për krijimin e qeverisë së ardhshme.

“PDK e ka bërë të qartë që në natën e zgjedhjeve qe ne do të jemi opozitë në këtë mandat dhe në asnjë mënyrë nuk do të bëhemi pjesë e çfarëdo diskutimi për qeverinë e ardhshme”, ka thënë për Insajderin, Memli Krasniqi i PDK-së.

Ai madje ka thënë se dy partitë që po negociojnë për qeverinë e ardhshme, VV dhe LDK, nuk janë të interesuar për asgjë tjetër, pos për të kapur sa më shumë pushtet.

“I harruan shpejt premtimet e programin dhe, të zhveshur nga çdo maskë, po tregojnë sheshazi që nuk i japin pesë pare për votuesit e tyre, por vetëm për kolltukët e tyre të ardhshme”.

“Ne shpresojmë se ata s’do ta demtojne Kosovën edhe tash me këtë qasje, siç e kanë dëmtuar gjatë kohës kur ishin në opozitë”.

Ndryshe negociatat ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së kanë ngecur. Isa Mustafa nuk ka pranuar sot të takohet me Albin Kurtin pas deklaratave që mbrëmë i ka bërë Glauk Konjufca.

“Marrëveshja për koalicion nuk u lidh sepse Lidhja Demokratike e Kosovës e kushtëzoi marrëveshjen me pozitën e Presidentit”.

“Ne nuk e kemi pritur këtë gjë sepse, siç e dini ju, këto zgjedhje kanë qenë zgjedhje parlamentare dhe pas konstituimit del qeveria nga Kuvendi dhe pozita e presidentit është diçka krejt tjetër”.

“Faktikisht jemi të zhgënjyer me fazën e dytë të negociatave. Në pjesën e parë ishim shumë të kënaqur dhe kaluam shumë mirë. Kemi mbi 30 faqe të shkruara detajisht për programin qeverisës. Është një program shumë i detajuar se çka do të bëjmë”.

“Ne bëmë një kompromis dhe lejuam që Isa Mustafa të zgjedhë i pari ministrinë që dëshirojnë. Ata zgjodhën pikërisht MPB-në”./Insajderi.com