Në kërkesën e deponuar në Kuvend, thuhet se deputetët parashtrues të PDK-së theksojnë nevojën e madhe të zhvillimit të këtij hetimi, veçanërisht kur kihet parasysh fakti që procesi i privatizimit në Kosovë, është njëri ndër zhvillimet me të rëndësishme ekonomike.
Partia Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht ka deponuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e privatizimit në Kosovë.
Kërkesa zyrtare e nënshkruar nga deputetët e kësaj partie, erdhi disa ditë pas paralajmërimeve të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për fillimin e një sërë iniciativash parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Në kërkesën e deponuar në Kuvend, thuhet se deputetët parashtrues të PDK-së theksojnë nevojën e madhe të zhvillimit të këtij hetimi, veçanërisht kur kihet parasysh fakti që procesi i privatizimit në Kosovë, është njëri ndër zhvillimet me të rëndësishme ekonomike, e njëkohësisht edhe më të përfolura në opinionin publik, për gati dy dekada më radhë.
Deri më tani, në disa raste Kuvendi i Republikës së Kosovës, përgjatë mandateve legjislative të tij, ka diskutuar qoftë përmes debatit parlamentar për procesin e privatizimit në tërësi, apo qoftë për privatizimet e ndërmarrjeve të caktuara. Mirëpo, asnjëherë nuk ka marrë përgjegjësinë për ngritjen dhe zhvillimin e një hetimi parlamentar që do të hidhte dritë mbi të vërtetat e pa njohura për qytetarët e Kosovës lidhur me disa nga zhvillimet kyçe.
Partia Demokratike e Kosovës konsideron se ky hetim i mundshëm parlamentar nuk është kundër procesit të privatizimit apo qytetarëve, ndërmarrësve dhe bizneseve që kanë privatizuar në mënyrë ligjore dhe të rregullt duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.
Si parti e qendrës së djathtë, PDK e mbështet këtë proces dhe beson se privatizimi dhe ekonomia e lirë e tregut janë rruga e vetme për të rritur ekonominë e vendit e përmirësuar mirëqenien e qytetarit.
Prandaj duhet që procesi i privatizimit të sqarohet në thellësi dhe të largohet njolla e paarsyeshme që i është vënë prej sulmeve ideologjike të majta. Për këtë proces të nisur në vitin 2001, është abuzuar e folur politikisht pikërisht nga njerëz që kanë abuzuar më së shumti.