PDK-ja e quan të padenjë kandidaturën e Haradinajt për president

PDK-ja e quan të padenjë kandidaturën e Haradinajt për president

Kanë vazhduar përplasjet në distancë mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, subjekte këto që kanë shprehur synime për postin e presidentit, njofton Insajderi.

Pas deklaratave të Ramush Haradinajt se e kishte shpëtuar PDK-në për të mos kaluar në opozitë në vitin 2017, zyrtarë të kësaj të fundit e kanë quajtur të padenjë kandidaturën e Haradinajt për president.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se vendit nuk i duhet një president që thellon përçarjet brenda dhe e izolon jashtë Kosovën.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk shantazhohet dhe as nuk do të lejojë që dikush ta marrë peng shtetin e Kosovës. Jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë me çdo parti politike parlamentare që ta tejkalojmë krizën institucionale në vend dhe ta zgjedhim një president dinjitoz që i shërben unitetit të brendshëm dhe thellon partneritetin me aleatët tanë. Por, PDK-ja nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë”, tha u.d. i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj ka përsëritur qëndrimin se kushdo që kërkon votat e deputetëve të PDK-së duhet ta pranojë edhe propozimin e kandidatit prej kësaj partie.

Polemika AAK-PDK u ndez pasi Haradinaj deklaroi se me gjithë kritikat kishte vendosur të bashkëpunojë, siç i ka quajtur ai “hajnat e Prontos”.

Zyrtarë të AAK-së kanë bërë të qartë se nuk heqin dorë nga kandidatura e Haradinajt edhe me çmimin që të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Betonimet e qëndrimeve rreth presidentëve kanë bërë që LDK-ja të mos e thërrasë ende tryezën e paralajmëruar me partitë politike.

Kryeministri Avdullah Hoti nuk ka qenë në gjendje ta japë një datë rreth takimit as të mërkurën, teksa si opsion i ka përmendur edhe zgjedhjet.

Moszgjedhja e presidentit deri në prillin e vitit të ardhshëm prodhon krizë institucionale dhe kushtetuese. Posti i ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj./Insajderi.com