PDK-ja kërkon që projektligji për rimëkëmbje ekonomike të hiqet nga shqyrtimi në kuvend

PDK-ja kërkon që projektligji për rimëkëmbje ekonomike të hiqet nga shqyrtimi në kuvend

Gjatë seancës parlamentare ku po shqyrtohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, ka thënë se ky projektligj duhet të tërhiqet nga shqyrtimi, njofton Insajderi.

Gashi ka thënë se ky projektligj nuk i adreson problemet reale të vendit, prandaj edhe nuk do ta përkrahim.

“Ky projektligj mund të jetë gjithçka tjetër, por vetëm Ligj për Rimëkëmbje nuk është sepse i njëjti nuk adreson problemet e vendit me ekonomi dhe pandemi. Madje ky ligj nuk ndihmon as shëndetësinë, sektor ky që po ballafaqohet me probleme të shumta sa i përket përballjes së personelit shëndetësorë me virusin COVID-19”.

Më pas Gashi ka thënë se tërheqja e trustit me masën 10% vetëm do t’i dëmtojë qytetarët.

“Përkundër që tërheqja e 10 për qind e mjeteve mund të duket si ndihmë afat shkurte për qytetarët, në aspektin afatgjatë dëmton qytetarët meqë shteti nuk do t’ua rimbursojë asnjëherë këto mjete. Pra, kjo i bie që ata që do të tërheqin mjetet do të zvogëlojnë edhe më shumë fondin e tyre pensional. Pra, do të kenë për 10 për qind më pak mjete ndoshta edhe për pleqërinë e tyre”./Insajderi.com