Kujtim Gashi i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se ende nuk kanë vendosur si grup parlamentar nëse do ta votojnë projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike, që tashmë për të disatën herë po nxirret për votim në seancat e Kuvendit të Kosovës, njofton Insajderi.
Ai në Emisionin Interaktiv, ka thënë se me qëndrimin aktual të Qeverisë, që sipas tij nuk po merr parasysh rekomandimet e subjekteve politike, bizneseve e odave ekonomike, nuk do ta mbështesin.
“Tani, ne do mblidhemi gjatë javës si grup parlamentar, nuk kemi ende vendim për këtë çështje, sepse vendimi jonë ka qenë që të merren parasysh disa rekomandime, veçanërisht të odave ekonomike. Përderisa qeveria nuk i ka marrë, nuk mund të them se do ta votojmë. Qeveria duhet t’i ketë parasysh disa rekomandime që kanë ardhur nga bizneset, odat, nga subjektet politike dhe partitë që i ka brenda qeverisë, atëherë mendoj se do duhej ta votonim të gjithë së bashku, përkundër që ka shumë vërejtje, edhe nëse kalon si ligj, nuk mendoj se do bëj zgjidhje dhe që do ta rimëkëmbë ekonominë e vendit, por meqë ka kërkesë të qytetarëve, sidomos te pjesa e Trustit, ne sigurisht se do ta mbështesnim, Por, në këto rrethana, me këtë qëndrim që ka qeveria nuk premtoj që mund ta kemi”, tha ai.
Ai ka thënë se Qeveria nuk po do të diskutojë rreth projektligjit dhe çështjeve që po ngritën për të. Ndër to, ka përmendur atë nga PDK-ja që qeveria do t’i kthente mjetet gradualisht pas pesë vitesh kur ekonomia e vendit të stabilizohej./Insajderi.com