PDK-ja takon përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit dhe Shëndetësisë

PDK-ja takon përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit dhe Shëndetësisë

Sindikatat e arsimit dhe shëndetësisë kanë “hapur” fushatën zgjedhore në Kosovë. Të premten, kryesindikalistët kanë vizituar Partinë Demokratike të Kosovës për t’i kërkuar “vazhdimin e politikave në të mirë të qytetarëve dhe shtetit”, njofton Insajderi.

Sipas një njoftimi nga PDK-ja, të premten, kandidati i kësaj partie për kryeministër, Enver Hoxhaj, bashkë me sekretarin Uran Ismaili dhe anëtarin e kryesisë, Bedri Hamza, kanë takuar përfaqësues të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Odës së Mjekëve, dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Në njoftim të PDK-së thuhet se krerët e këtyre sindikatave “kanë përgëzuar kryetarin në detyrë të PDK-së, Enver Hoxhajn, dhe PDK-në për konstruktivitetin politik, siç është rasti i fundit me votimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike”.

Njoftimi thekson se takimi ka qenë kërkesë e sindikatave dhe profesionistëve shëndetësorë. Sipas komunikatës, ata kanë kërkuar “nga kryetari Hoxhaj që të vazhdojë politikat në të mirë të qytetarëve dhe shtetit edhe në proceset tjera në vazhdim – siç është votimi i Buxhetit”.

Takimi i PDK-së me këto sindikata vjen në kohën kur vendi po hyn në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet të cilat u vendos të mbahen përmes aktgjykimit me të cilin Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi për formimin e Qeverisë Hoti, duke e rrëzuar këtë qeveri.

“Kryetari në Detyrë, Enver Hoxhaj ka falënderuar udhëheqësit e këtyre sindikatave dhe odave për vizitën dhe bashkëpunimin e tyre profesional që kanë pasur gjithmonë me PDK-në. Me këtë rast, kryetari Hoxhaj ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës, ashtu siç e ka dëshmuar historikisht, do të vazhdojë edhe më tej politikat konstruktive në të mirë të shtetit dhe qytetarëve”, përfundon komunikata e PDK-së./Insajderi.com