PDK-ja – VV-së: Herët është për koalicione

PDK-ja – VV-së: Herët është për koalicione

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka reaguar pas deklaratës së anëtarit të kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni LVV-PDK, njofton Insajderi.

Bytyçi si kundërreagim ndaj kësaj deklarate të Konjufces, ka thënë se është herët të flitet për koalicione.

Ai në profilin e tij në Facebook, ka thënë se “Glauku sapo e tha, Lëvizja Vetëvendosje nuk e përjashton koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës. Ngadalë por sigurt mashtrimet po bien. Edhe pse duhet ta pranojmë, është herët që të flasim për këtë temë. Por, Partia Demokratike e Kosovës është konstantja në vendin tonë.  Ne po hyjmë në garë pa obligime ndaj askujt dhe si argument kemi angazhimin e mirë opozitar që e dëshmuam”.

Më tej, ai ka thënë se “është mëkat që Kadri Veseli nuk është prezent për të parë se doli ashtu siç e tha për ‘mashtrimin e madh’ të 6 Tetorit”.

“Një vjet i humbur nga dy qeveritë Kurti/Hoti që keqqeverisjen vendin. Rezultati, shkurt, në tri pika: 1. Një ekonomi e shkatërruar -7.2 ‘rritja ekonomike’, 2. Një dështim total me pandeminë. 3. Një politikë e jashtme të dështuar në raport me perëndimin dhe disfatë e pafalshme para Serbisë duke e cenuar rëndë interesin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Bytyçi thotë se “Partia Demokratik e Kosovës, është në garë jo vetëm për të rikthyer besimin që kishim, por, për të fituar një betejë ndaj një mashtrimi të madh politik që ka filluar nga viti 2014, e që la Kosovën shumë mbrapa”./Insajderi.com