Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar aprovimin e menjëhershëm të projektit amerikan për infrastrukturën e gazit amerikan dhe termocentralit me gaz, njofton Insajderi.com.
Përmes një komunikate, PDK tha se lidhja e Kosovës në infrastrukturën e gazit që e gëzon përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është interes strategjik, ekonomik dhe gjeopolitik.
“Lidhja e Republikës së Kosovës në infrastrukturën e gazit që gëzon përkrahjen e plotë të SHBA-ve është interes strategjik, ekonomik dhe gjeopolitik. Vonesat prej gjashtë muajsh në trajtimin me prioritet të këtij interesi shtetëror tashmë kanë krijuar një rrezik të madh për mbarëvajtjen e këtij projekti. Dështimi eventual i tij, jo veç që cenon raportet tona, por njëkohësisht do ta lë Kosovën përjetësisht jashtë mundësisë së diversifikimit të burimeve energjetike, situatë që i shkon në favor vetëm Serbisë dhe forcon pozicionin e Rusisë në rajon”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.
Sipas PDK-së, dështimi për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e për më keq anulimi i tyre për shkak të vonesave të Qeverisë, do të ishte një humbje e madhe për qytetarët e Kosovës.
Për këtë çështje të martën ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se politizimi dhe njollosja e projektit rreth gazit amerikan është skandaloz.
Haradinaj ka kërkuar që Kurti të distancohet nga deklaratat e zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, i cili tha se Projekti i Gazit është projekt rus.
”Marrëveshja për gazin nuk e sjell asnjë një litër gaz nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I gjithë gazi është nga Azerbajxhani dhe Rusia, është budallakët të thuhet se gazi që është nga Greqia dhe përmes Maqedonisë së Veriut është nga Amerika”, kishte thënë ai.
Kurse, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është shprehur se nuk ka refuzim nga Kosova për çështjen e projektit për gazsjellësin nga SHBA-të.